zoom

Aktualitet

Drogë, drogë, drogë! Kanabisi nga Shqipëria mbyt Europën

Një anije me 1.2 ton kanabis u kap në brigjet e Marmario Mani, në Greqi. Trafikantët kishin zgjedhur një zonë shkëmbore të Peleponezit për të mos u zbuluar. Por qëndrimi i anijes në këtë zonë ngjalli dyshime te roja bregdetare greke. Kontrolli i policëve kufitarë zbuloi ngarkesën, me vlerë 2 milionë euro.

Kapiteni i anijes, një shtetas i huaj, kombësia e të cilit ende nuk dihet, u arrestua. Anëtarët e tjerë të ekuipazhit, pjesëmarrës në trafik, ishin zhdukur para mbërritjes së policisë. Mediat greke thonë se anija e ka marrë ngarkesën me kanabis në Shqipëri. Pretendimi, gjithëshesi nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Por kush vend prodhon kaq shumë kanabis për Europën?

Për vite me radhë Maroku ka qenë një prodhues i rëndësishëm për tregun europian, por trafikantët kanë pasur gjithnjë si rrugë transporti brigjet e Spanjës.

Vitet e fundit, të paktën prej vitit 2016, tonelatat e drogës që po mbysin Europën vijnë nga Shqipëria.

Kanabisi shqiptar konsiderohet më cilësor, ndërsa kultivimi është lehtësuar në maksimum gjatë viteve të fundit. Ka pretendime se gjithçka është bërë me bekimin e autoriteteve. Qeveria e ka mohuar vazhdimisht fenomenin.

Mediat shkruajnë se raporte të shërbimeve inteligjente, shqiptare e të huaja, kanë ngritur shqetësimin për përfshirjen e policisë në trafik. Një ish –drejtor policie, ai i Vlorës, është në burg.

Ish –ministri i Brendshëm në periudhën 2013-2017, Saimir Tahiri, po përballet në gjykatë me akuzat për shpërdorim detyre dhe përfshirje në një organizatë të trafikut të kanabisit e drogave të forta.

Shqipëria, thonë raportet ndërkombëtare si ai i Agjencisë së OKB-së për drogat, është një ndër furnizuesit kryesorë të kanabisit në Europë. Qeveria u mburr një vit më parë se kultivimi kishte rënë. Por këtë vit situata duket se ka ndryshuar.

Gazetarë të ndryshëm investigativë kanë publikuar filmime të parcelave me kanabis në zona të ndryshme të vendit. Çmimi i kanabisit, thonë gazetarët investigativë, ka ndryshuar po ashtu, duke përsuar një rritje deri në 1 600 euro për kilogram në momentin që shitet në parcelë.

Prokurorë të antimafias italiane, e cila është e përfshirë fuqimisht në luftën kundër trafikut të kanabisit, e cilësuan kanalin e Otrantos në përiudhën 2016 -1017, si autostradë të drogës.

Guardia di Financa monitoron me avionë të posaçëm zonat ku dyshohet se kultivohet kanabisi, por monitorimi është i kufizuar, pasi avionët e saj fluturojnë vetëm në koordinatat që u japin autoritetet.

Nëse pretendimet për përfshirjen e autoriteteve në kultivimin e kanabisit janë të vërteta, atëherë monitorimi nga ajri me koordinatat e dhëna prej tyre është i kompromentuar.

Por pavarësisht shifrave që jep qeveria për luftën kundër kanabisit, sasitë që kapen nga policitë e vendeve fqinje apo të Europës, dëshmojnë për një situatë tjetër, se kanabisi vijon të kultivohet në sipërfaqe të mëdha në Shqipëri dhe se grupet kriminale që e kontrollojnë këtë “industri” miliarda eurosh, vijojnë të kenë terren të përshtatshëm për aktivitetin e tyre. /Zoom.al