zoom

Politikë

Dritan Leli e shkarkoi, drejtori i Ujësjellësit vazhdon punën: Jam në detyrë, sapo mblodha stafin

Përplasja mes zyrtarëve ka prodhuar një situatë të pazakontë në Vlorë. Ishte Dritan Leli, kryebashkiku socialist i Vlorës i shpallur “non grata” nga PS, që njoftoi se ka shkarkuar drejtorin e ujësjellësit Shkëlqim Leskaj, por ky i fundit refuzon që të lirojë zyrën.

Sipas drejtorit të Ujësjellësit, shkarkimi i tij është i paligjshëm, pasi ndërmarrja është aksionere dhe të drejtën për shkarkimin e tij e ka vetëm bordi ekzekutiv.

Leli ka ngritur akuzë për Shkëlqim Leskajn për vjedhje të librave të protokollit, vulës së institucionit. Por përmes një reagimi, Leskaj ka mohuar akuzat dhe thotë se vazhdon punën.

Një ditë pasi përfundoi në komisariat bashkë me Lelin, përmes një reagimi zyrtar nga Ndërmarrja e Ujësjellësit, Leskaj sqaron se sipas tij, nuk ka pasur asnjë shkelje nga ana e Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Vlorë dhe administratorit të saj, nuk kanë nënshkruar kontrata tenderuese për kontatorët matës së ujit (sahatët), klorinimin dhe uniformat e punonjësve.

REAGIMI

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë, nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp, kërkon të sqarojë opinionin publik në lidhje me situatat e pasqyruara nga disa media dhe portale për disa mos marrëveshje të lindura gjatë një mbledhje të organizuar në zyrën e kreut të Shoqërisë, mes administratorit të Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Zotit Shkëlqim Leskaj dhe kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Zotit Dritan Leli.

Ju bëjmë me dije se nuk ka asnjë ndërprerje të veprimtarisë së Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Vlorë, duke vijuar realizimin normalisht të të gjitha detyrave në shërbim të qytetarëve dhe klientëve tanë, si familjarë ashtu edhe privatë.

Drejtori Shkëlqim Leskaj është në krye të detyrës, duke ushtruar kompetencat e tij, në zbatim të Ligjit Nr. 9901, datë 14.04.2008 për “Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare”.

Kreu i Shoqërisë, mëngjesin e kësaj të marte, datë 21.09.2021, zhvilloi normalisht mbledhjen e mëngjesit, duke ndarë edhe detyrat përkatëse për të gjithë Sektorët e Ndërmarrjes.

Sqarojmë se:

1. Zoti Shkëlqim Leskaj vijon të qëndrojë në detyrë, brenda të gjitha tagrave që i atribuohen sipas legjislacionit në fuqi.
2. Zoti Leskaj, vijon të jetë i rregjistruar pranë QKR, si subjekt i legjitimuar në cilësinë e Administratorit të Shoqërisë.
3. Nuk ka patur asnjë “grabitje” nga titullari sa i përketë vulave dhe librave të protokollëve sikundër pretendohet, ato qëndrojnë sipas legjislacionit në selinë e Shoqërisë.
4. Gjatë kësaj periudhe nga ana e Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Vlorë dhe administratorit të saj, nuk janë nënshkruar kontrata tenderuese për kontatorët matës së ujit (sahatët), klorinimin dhe uniformat e punonjësve.

Gjatë një viti në krye të Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Zoti Shkëlqim Leskaj ka drejtuar me përkushtim të plotë në drejtim të shërbimit ndaj qytetarëve, duke qenë maksimalisht i angazhuar dhe i pranishëm kudo në terren, edhe jashtë orarit zyrtar, përfshire edhe orët e vona të natës, për tu dhënë zgjidhje efektive dhe në kohë sa më të shkurtër të gjitha problematikave të shfaqura në rrjetin e ujësjellësit dhe të kanalizimeve.

Të gjitha akuzat e ngritura ditët e fundit në adresë të Zotit Leskaj, janë spekullime, me qëllim dashakeqës për të prishur imazhin e kreut të kësaj Shoqërie dhe për të përbaltur të gjithë aktivitetin dhe energjitë e harxhuara prej tij gjatë gjithë kësaj detyre që po e vazhdon me përkushtim të plotë.

Faleminderit për bashkëpunimin e deritanishëm!