zoom

Politikë

Drejtori i Zërit të Amerikës: Shqipëria, një nga vendet më të korruptuara në Europë

Në 30 –vjetorin e rivendosjes së marëdhënieve diplomatike SHBA – Shqipëri, Drejtori i Drejtorisë së Euro-Azisë në Zërin e Amerikës, studiuesi i njohur, dr. Elez Biberaj, foli me kritika për demokracinë në Shqipëri

Në aktivitetin ku morën pjesë ambasadorja Yuri Kim dhe ministrja e Jashtme Olta Xhacka, zoti Biberaj tha se veprimet që minojnë praktikat demokratike jo vetëm që mund të minojnë marrëdhëniet, por mund të sjellin një ndryshim në qëndrimet e SHBA dhe, në rastin më të keq, një rishikim thelbësor të lidhjeve mes dy vendeve.

“Vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një rrëshqitje të konsiderueshme prapa në rrugën e demokracisë dhe një autoritarizëm në rritje, duke e bërë atë një nga vendet më jofunksionale dhe më të korruptuara në Evropë. Sistemi politik i Shqipërisë në thelb është prishur dhe vendi është shndërruar në një shtet njëpartiak, autoritar, me Partinë Socialiste në fuqi që kontrollon pushtetin në të gjitha nivelet” – tha zoti Biberaj.

Ai shtoi se polarizimi politik, korrupsioni i përhapur në radhët e zyrtarëve publikë dhe atyre në poste të larta, krimi i organizuar dhe kultura e mosndëshkimit kanë pasur një kosto të madhe dhe vazhdojnë të paraqesin një kërcënim ekzistencial për demokracinë e Shqipërisë.

“Pikërisht institucionet që kanë rëndësi të dorës së parë për të luftuar korrupsionin – zyrtarët qeveritarë, anëtarët e parlamentit, politikanët, gjykatat dhe gjyqtarët, prokurorët dhe policia – janë ato që po e minojnë fushatën kundër korrupsionit”- tha zoti Biberaj.

Shqipëria dhe SHBA rivendosën marrëdhëniet diplomatike në marsin 1991, pas 45 vjet diktature komuniste. /©Zoom.al