zoom

Bota

Drejtori i FBI-së do të japë dorëheqjen përpara se Trump të marrë detyrën

Christopher Wray, kreu i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), do të japë dorëheqjen nga posti përpara se presidenti i sapozgjedhur Donald Trump të marrë detyrën muajin e ardhshëm.

Wray njoftoi largimin e tij të afërt në një takim të brendshëm të FBI-së të mërkurën, sipas CBS News.

Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka sinjalizuar publikisht dëshirën e tij për të zëvendësuar Wray me Kash Patel, një besnik prej kohësh, i cili ka bërë thirrje për kufizimin “dramatik” të autoritetit të FBI-së.

Wray, i cili u emërua nga Trump në 2017 për të shërbyer një mandat 10-vjeçar, është përballur me kritika gjatë mandatit të tij nga republikanët për shkak të hetimeve të FBI-së ndaj Trump pasi ai u largua nga detyra.

Gjatë takimit në FBI të mërkurën, Wray tha: “Kam vendosur që gjëja e duhur për byronë është që unë të shërbej deri në fund të administratës aktuale në janar dhe më pas të largohem”.

“Qëllimi im është të mbaj fokusin në misionin tonë, punën e domosdoshme që po bëni çdo ditë në emër të popullit amerikan”, u tha ai kolegëve të tij.

“Për mendimin tim, kjo është mënyra më e mirë për të shmangur zvarritjen e byrosë më thellë në grindje, duke përforcuar vlerat dhe parimet që janë kaq të rëndësishme për mënyrën se si ne e bëjmë punën tonë,” tha zoti Wray.

Trump caktoi Wray për të udhëhequr FBI-në pasi shkarkoi paraardhësin e tij James Comey pas hetimeve të FBI-së për kontaktet e supozuara midis fushatës së Trump të vitit 2016 dhe Rusisë.

Pas zgjedhjes së tij për një mandat të dytë, Trump tha se zgjedhja e tij për drejtor të FBI-së do të ishte Patel, i cili ka qenë një mbështetës i palëkundur i presidentit të ardhshëm republikan.

Postime të lidhura