zoom

In Zoom

Drejtoresha Dhurata Frashëri në shërbim të kryeministrit. Si po i fsheh faturat e avionit qeveritar

Më 4 shkurt të këtij viti (2022) Partia Demokratike, në një përpjekje të diskutueshme për nga serioziteti, i kërkoi Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (DSHQ) marrëveshjen për përdorimin e avionit “Ismaili” nga kryeministri Edi Rama, sa është numri i udhëtimeve dhe vlera totale e paguar nga kjo drejtori?

Kanë kaluar 4 muaj dhe DSHQ e ka lënë pa përgjigje kërkesën e PD. Ndërsa vetë PD hesht, edhe pse ky është një skandal i përmasave të mëdha, pasi kryeministri udhëton me një avion luksi e shpenzon qindra mijëra euro, teksa vendi është në krizë dhe nuk bën asnjë transparencë për shpenzimet.

Edi Rama kishte premtuar se ai dhe ministrat e tij nuk do të udhëtonin në Bussines Class si Berisha me ministrat e tij, por vetëm në Economy Class. Tani jo vetëm që Economy Class as e konsideron, ose e perdor 1 herë në vit sa për propagandë, por ai ka një avion vetëm për vete, që e përdor si taksi, për të shkuar qoftë edhe deri në Kosovë.

Kur iu përvesh PD-së me disa përgjigje të tipit “bullist” tha se nga fondi i kryeministrisë ai kishte shpenzuar më pak se paraardhësit për udhëtimet jashtë vendit. Por ky ishte një truk që u zbulua shumë shpejt.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN) nxorri në pah faktin se shpenzimet për avionin qeveritar nuk paguheshin nga fondi i kryeministrisë, por nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe  nuk përfshihen në shpenzimet  Aparatit të Këshillit të Ministrave. Këtë e fakton edhe kontrata mes DSHQ dhe kompanisë Air Albania, (klikoni këtu për kontratën) e nënshkruar më 30.01.2020.

BIRN i dërgoi një kërkesë zyrtare Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, të, bazuar në ligjin për të drejtën e informimit. DSHQ nuk iu përgjigj, duke e shkelur hapur ligjin dhe duke mos dhënë llogari.

Zoom.al bëri disa herë përpjekje për ta kontaktuar këtë drejtori, në krye të së cilës është emëruar Dhurata (Shamia) Frashëri, një besnike e kryeministrit.

Edi Rama dhe Dhurata Frashëri

 

Kjo drejtori,  është ndër të paktat institucione në vartësi të kryeministrisë që nuk ka një e-mail të publikuar në faqen zyrtare të qeverisë, kryeministria.al.

Faqja zyrtare e qeverisë

Po kështu, numri fiks i publikuar në këtë faqe, nuk ekziston. Teknikisht, kjo drejtori ka fshirë çdo mundësi kontakti nga mediat apo qytetarët. A është kjo një mënyrë për të mos u përgjigjur për një prej skandaleve më të mëdha që kjo drejtori mban në zyrat e saj? Zoom.al i ka drejtuar edhe një kërkesë me anë të postës, që DSHQ t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.

  1. A i paguan Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare të gjitha udhëtimet e kryeministrit të Shqipërisë z.Edi Rama me avionin TC-ANA, i njohur me emrin “Ismaili”?
  2. Sa udhëtime të këtij avioni ka paguar Drejtoria e Sherbimeve Qeveritare?
  3. Sa është fatura e shpenzimeve në udhetimet që kryeministri i Shqiperise, z. Edi Rama ka kryer me avioni TC-ANA, me emrin “Ismaili”, që nga dita e parë që ai ka nisur ta përdore atë e deri tani?
  4. A paguan Drejtoria e Sherbimeve Qeveritare tarifa e taksa te tjera te ketij avioni?
  5. A ka detyrime të prapambetura Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare tek kompani private në Shqipëri dhe jashtë saj përsa u përket shpenzimeve të pashlyera për avionin TCN-ANA?

Disa media sociale shkruajnë se qeveria ka një borxh afro 3 milionë euro për fluturimet e luksit të kryeministrit. Përgjigjet e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare do të shërbenin për të hedhur dritë edhe mbi këto të dhëna, të paverifikuara.

Kryeministri Rama po e përdor thuajse në çdo udhëtim avionin “Ismaili”. Ai fluturoi edhe për në Poloni, për të udhëtuar më pas në Kiev, dhe me vete mori edhe kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazovic, i cili, ashtu si liderët e tjerë të rajonit nuk ka një avion për të udhëtuar, për shkak të shpenzimeve të larta që ka mbajtja e një mjeti të tillë.

Duke konsultuar të dhënat e agjencive të specializuara, zoom.al përllogarit se një orë fluturim me një avion si TC-ANA kushton mes 11 dhe 15 mijë eurove, shpenzime këto që përfshijnë karburantin, pagat e personelit, taksat aeroportuale dhe shpenzime të tjera operative. /Zoom.al