zoom

Aktualitet

Dosja McGonigal/ Crawford: Qeveria Rama u hoqi naftën amerikanëve dhe ua dha rusëve

Ish-kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, ka dhënë një intervistë të fortë në mediat amerikane lidhur me rolin e Charles McGonigal dhe lidhjet e tij me kompanitë ruse të naftës.

Gazetari amerikan, Zev Shelev, duke folur në emisionin e tij investigativ ‘Narativ’, tha se McGonigal është i lidhur me kompaninë Gazprom të naftës ruse. Madje, sipas Shelev, ai ka punuar që fushat e naftës, të cilat ishin marrë nga kompanitë amerikane, të kalonin në duart e rusëve. I ftuar në emisionin e Zev Shalev ishte Mark Crawford, kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri. Ai bëri disa rrëfime të forta, duke treguar se si fushat e naftës iu hoqën amerikanëve për të kaluar në duart e rusëve të Gazprom.

Sipas Crawford, “përpjekjet për të hequr fushat e naftës nga biznesmenët e Amerikës së Veriut nisën që në vitin 2016 dhe më pas nisën të konkretizohen në vitin 2017. Në janar 2017 nisën të shtetëzojnë fushat e naftës. Qëllimi ishte që ato të kalonin në duart e dy kompanive austriake, të cilat shërbejnë si mbulim për Gazprom. Dy kompanitë në fjalë janë Jurimex dhe Nis, të prezantuara si kompani austriako-serbe”.

Crawford thekson se ata e dinin se këto ishin kompani të Gazprom, por situata u bë më e qartë kur një kompani shqiptare, e quajtur Transoil dhe e përfaqësuar nga Shefqet Dizdari, i dërgoi një letër kompanisë Gazprom.

“Në letrën e Shefqet Dizdarit, i cili i shkruan kompanisë Gazprom, thuhet: Hej djema, ju rusët po tentoni të merrni fushat përmes lidhjeve tuaja në Austri. Pse po e bëni këtë, kur ne jemi përfaqësuesit tuaj këtu. Pse përdorni të tjerët, kur ne jemi përfaqësuesit zyrtarë të Gazprom Ky është Dizdari që më vonë del si partner me McGonigal, Rossini-n dhe Personin A, Agron Neza”, tha Crawford.

“McGonigal u shfaq pikërisht në kohën kur ishim në mesin e arbitrazhit. Pyetja që lind është se pse rusët janë të interesuar për këto fusha nafte të vogla në Shqipëri dhe pse janë të interesuar ata të komprometojnë zyrtarët amerikanë për të hyrë në Shqipëri?” tha ai. I pyetur se përse në padinë e publikuar ndaj McGonigal, thuhet se ai e paralajmëroi Ramën që të mos i japë fushat e naftës për rusët, Crawford ironizoi duke thënë: “Ai i tha ‘mos puno me ata rusët e tjerë’”. Sipas tij, sërish në lidhjen austriake del oligarku rus, Oleg Deripaska. Crawford tha se lidhjet ruse në këtë skandal janë shumë të qarta dhe shumë të forta.

Videon e intervistës televizive e gjeni KËTU.

INVESTIMET NË SHQIPËRI

Të dhënat zyrtare nga Regjistri i Bizneseve në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), dëshmojnë se Charles McGonigal, pas largimit nga FBI, është regjistruar aksioner në një kompani private në Shqipëri, “Law Office and Investigation”. Mund të duket si komplet e rastësishme, por krijuesi i kësaj kompanie private është njëkohësisht edhe pronari i një kompanie shqiptare që mundi të fitojë në qershor 2018 një koncesion të dyshimtë për shfrytëzimin e fushave naftëmbajtëse. E fitoi këtë koncesion ndonëse kompania në fjalë është e lidhur me Gazpromin rus. E fitoi këtë koncesion, ndonëse kundërshtitë dhe apelimet ishin të shumta nga rivalët.

Sipas prestigjiozes amerikane, Washington Post McGonigal, i cili ishte ende duke punuar për FBI-në në atë kohë, e paralajmëroi Kryeministrin shqiptar të mos jepte licenca fitimprurëse për shpime për kompanitë që ishin fronte për interesat ruse. Ndërsa McGonigal dukej se po vepronte në rolin e tij si oficer kundërzbulimi kundër ndikimit rus, prokurorët pretendojnë se, në fakt, Neza dhe një tjetër shqiptar që punonte me McGonigal, i identifikuar nga prokurorët si një këshilltar informal i Ramës, kishin interesat e tyre financiare në fushat e shpimit për naftë.

Puna e McGonigal në Shqipëri solli në orbitën e tij ish-agjentë të tjerë. Të dhënat e korporatave në Shqipëri tregojnë se në shkurt 2019, pesë muaj pasi McGonigal u tërhoq nga FBI, ai dhe Neza blenë secili 25 për qind të aksioneve në një firmë avokatie me bazë në vend, e identifikuar në të dhënat e korporatave shqiptare si Zyra e Avokatisë dhe Hetimi.

Një partner tjetër në firmë ishte Mark Rossini, një ish-agjent i FBI-së, karriera e të cilit përfundoi pasi ai u deklarua fajtor për akses të paligjshëm në dosjet e FBI-së në vitin 2007 për interes të së dashurës së tij aktore. Rossini është rishfaqur vitet e fundit si një konsulent ndërkombëtar dhe ekspert për Shqipërinë, duke u shfaqur në intervista në mediat shqiptare për të paralajmëruar ndikimin rus mbi kundërshtarët politikë të Ramës. Një person i njohur me rrëfimin e Rossinit për biznesin tha se kompania shqiptare nuk kryente asnjë punë dhe nuk kishte klientë. Në gusht, Rossini u padit me akuza për korrupsion në një rast që përfshin pagesat për guvernatorin e Porto Rikos. Ai është deklaruar i pafajshëm.