zoom

Slider

“Doktori”, shqiptari super i kërkuar! Arrestohet Ilir Meto, kreu i një bande kriminale

Kreu i një grupi të krimit të organizuar shqiptaro-italian, i kërkuar nga Interpoli për 17 vitet e fundit është arrestuar në Bruksel.

Ilir Meto, 56 vjeç, i njohur si “Il Dottore” ose “mjeku” në qarqet kriminale u dënua me 14 vjet burg në mungesë në vitin 2004 dhe ka qenë në arrati që prej asaj kohe. Në 2012-ën, ai u dënua, përsëri në mungesë, me 15 vjet të tjera, në të dyja rastet për trafik droge.

Sipas shtypit italian, ai u arrestua në Saint-Josse, ku jetonte me gruan dhe fëmijët e tij, në fillim të marsit.

Sipas burimeve italiane u gjurmua nga skuadra antimafia e qytetit italian të Leçes. Policia e Brukselit që kreu arrestimin, ndërkohë, nuk pranoi të konfirmonte atë informacion.

Nuk është e qartë nëse Meto ishte atje gjatë gjithë kohëzgjatjes së arratisë së tij nga drejtësia, apo se si arriti të fshihej kaq gjatë. Supozohet se ai jetonte me një emër të rremë. Meto duket se nuk ka asnjë lidhje me krimin e organizuar në Belgjikë. Arrestimi i tij u bë në lidhje me dy urdhra ndërkombëtarë, nga dënimet e vitit 2004 dhe 2012.

Emri i tij ka qenë gjithashtu i lidhur me trafikun e armëve dhe banda italo-shqiptare që ai drejtoi kishte lidhje me një grup tjetër krimi të organizuar italo-marokenë. Këtë javë ai u dorëzua tek autoritetet italiane. Tani ai përballet me 29 vjet burg.