zoom

Politikë

Do blinin vota për PS-në, arrestohen dy punonjësit e Bashkisë

Arrestohen dy personat që ishin në automjetin e ndaluar dje nga aktivistë të Partisë Demokratike në Maqellarë, nën dyshimin se do blinin vota për llogari të Partisë Socialiste.

Burime zyrtare nga policia e Dibrës konfirmuan këtë të Premte arrestin e: Abjon Ceku, 25 vjeç dhe Denis Xholi, 36 vjeç, të dy punonjës të Bashkisë Dibër dhe banues në Maqellarë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Policia sqaroi se të Enjten, rreth orës 14:00, në segmentin rrugor Maqellarë-Peshkopi, në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur, Policia sekuestroi një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik (PS).

Fillimisht, mjeti me të cilin ata lëviznin u ndalua nga aktivistë të PD, që njoftuan policinë.

Procedohet dhe aktivistë të PD

Po ashtu, janë proceduar penalisht dhe dy aktivistë të PD-së pasi akuzohen për pengim të qarkullimit të mjeteve.

LEXO EDHE  Simpatizantët e LSI i ranë borive te shtëpia e tij, ja çfarë e shqetësoi Ramën

Policia njoftoi se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik”, për shtetasit A. S. dhe G. H., banues në Dibër, pasi u kanë bllokuar rrugën dy shtetasve të arrestuar, në afërsi të rreth-rrotullimit të Maqellarës, duke bllokuar rrugën Peshkopi – Maqellarë.

Ndalimi “live” në FB

Momentet e ndalimit të automjetit dhe shoqërimit në furgonin e policisë të dy personave të dyshuar, janë shpërndarë drejtpërdrejt në FB-un e Luan Hakëskandidat për deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Dibrës, ditën e djeshme.

Dëshmia

Mësohet se personat e ndaluar nga policia kanë mohuar akuzat. Burime policore thanë se Denis Xholi, 36 vjeç, punonjës i Bashkisë me profesion jurist, deklaroi para uniformave blu se paratë i kishte marrë borxh te një i afërmi i tij në Durrës.