Aplikacion
Petro Beleri, në një intervistë për median greke “Open Tv” tha se seanca për të atin është shtyrë dhe seanca e Apelit pritet të zhvillohet në një kohë kur partia e Edi Ramës po qeveris “sipas dëshirës” në Himarë.
Ndër të tjera ai tha se nuk kanë më shpresë për Shqipërinë, duke shtuar se i ati do të lërë qelin në muajin shtator.
“Babai im do të shpallet i pafajshëm solemnisht”, është shprehur Petro Beleri, teksa në emër të së atit ndau edhe një mesazh lirie, duke theksuar domosdoshmërinë e mbrojtjes së demokracisë.
Lidhur me zgjedhjet e ardhshme evropiane, djali i Fredi Belerit tha se ai ka shpresë dhe se kjo është një mundësi e mirë për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e tij. Kujtojmë se babai i tij është kandidat i Demokracisë së Re.
Fredi Beleri ishte kandidat për kryetar Bashkie në Himarë në zgjedhjet vendore të vitit të shkuar, por ai u arrestua nën akuzën për korrupsion, pasi tentoi që të blinte me para votën e qytetarëve himariotë.
Partia qeverisëse në Greqi ka zgjedhur mes kandidatëve për eurodeputet edhe Fredi Belerin, pavarësisht se ky i fundit ndodhet në burg në Shqipëri për blerje votash.
Pak kohë më parë, djali i tij duke folur për mediat greke tha se babai i tij nëse zgjidhet do të punojë fortë për të nxjerr në pah problemet e pakicës greke.
“Nëse kemi sukses dhe babi im zgjidhet, ai do të ketë një eurodeputet të zgjedhur që i përket Partisë Popullore Evropiane , që i përket ND, në Greqi, ai është anëtar i pakicës etnike greke, ai do të nxjerrë në pah këto probleme, që ekzistojnë në Shqipëri, sado që dikush të përpiqet t’i fshehë”, deklaroi Petro Beleri.