zoom

Aktualitet

Dita e pestë nën tokë! Asnjë shenjë nga minatori në Bulqizë

Minatori Muharrem Plaku është i bllokuar në një nga galeritë e Bulqizës, që prej mëngjesit të së mërkurës, kur u shemb një sasi e madhe mineralesh.

Grupi i avari-shpëtimit, si dhe minatorë të firmave të tjera po punojnë pa ndërprerje për zhbllokimin e galerisë, por operacioni është i vështirë, ndërkohë që po përdoren mjete të thjeshta.

Ditët po kalojnë, ndërkohë që shpresat për të gjetur shëndoshë e mirë 60-vjeçarin, i cili punonte prej 8 vitesh në minierë, pakësohen.

Masivi i kromit, që dyshohet se ka nisur të shkëputet nga tavani i minierës, bllokoi Plakun brenda, e ndërsa janë larguar dhjetëra tonë minerale, ende nuk ka asnjë shenjë nga tekniku.

Një ditë më parë, zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Ilir Bejtja deklaroi se është ngritur një grup hetimor për të verifikuar shkaqet e ngjarjes, ndërsa kanë krijuar dyshimet e para se si ka ndodhur aksidenti.