zoom

Bota

Diplomati sllovak: Albin Kurti e di se BE-ja pret vazhdimin e dialogut

Në një intervistë ekskluzive për RTK-në, emisari special i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak tha se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e di se Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare presin vazhdimin e dialogut dhe se kjo nuk është gjë e re për të.

Ndër të tjera, ai u shpreh se dialogu për formalizmin e raporteve Kosovë-Serbi është i rëndësishëm.

“Një nga arsyet përse unë vizitoj rajonin këtë radhë është pikërisht që të takohem me Albin Kurtin, të dëgjoj për planet e tij, përfshirë dialogun dhe gjithashtu t’ia përcjell atij mesazhet dhe pritjet e BE-së dhe shteteve anëtare dhe të bisedojmë bashkë si ta çojmë tutje dialogun. Kurti e di se Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare presin vazhdimin e dialogut dhe kjo nuk është gjë e re për të. Nuk ka qeveri, e cila merret vetëm me një çështje. Pikërisht për këtë do të diskutojmë, se si të vendosen prioritetet. Ne tashmë kemi një përvojë me Kurtin si kryeministër. Dhe ai ishte bashkëbisedues konstruktiv. Mbi të gjitha, ishte ai që hoqi tarifat dhe mundësoi nisjen e dialogut. Bashkëpunimi në çështjet shëndetësore gjithashtu dëshmoi një nivel të lartë të qasjes konstruktive. Andaj nuk ka nevojë të krijojmë sensacione aty ku nuk ka vend”, deklaroi diplomati sllovak.