zoom

Politikë

Dha dorëheqjen nga postet drejtuese, Luan Rama mesazh drejtuesve të LSI-së: Është koha për…

Luan Rama ka dhënë dorëheqjen nga posti drejtues i LSI-së, i nënkryetarit duke paralajmëruar dhe shkëputjen nga kjo parti.

Edhe pse ka deklaruar largimin nga kjo forcë politike, nuk ka ngurruar që të japë një mesazh për LSI-në me rastin e 17-vjetorit të themelimit të saj.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se është koha për t’ia lënë vendin të rinjve, pasi ato duhet të vijnë.

“Vitet ikin në rendin e tyre, kohët ndryshojnë e bashkë me kohët, ndryshojnë edhe brezat. Të rinjtë rriten e më të rriturit duhet të kuptojnë se të tjerë të rinj duhet të vijnë”, thuhet në këtë mesazh.

Luan Rama u largua nga LSI duke deklaruar se ishte përgjegjës për humbjen në Vlorë. Ndërsa në mesazhet e tjera nuk ka lënë pas sulmuar drejtuesit e LSI-së.

“Në shenjë respekti dhe vlerësimi për të gjithë ata, puna e të cilëve ka si komponente të parë mbajtjen e fjalës së dhënë, e gjej veten në legjitimitet të plotë moral, politik dhe qytetar edhe përpara tyre me vendimin që po shpall, duke i siguruar ata dhe votuesit e LSI-së në të gjithë vendin, se ky vendim nuk është akt ikjeje nga LSI dhe as braktisje e saj. Aq më pak nuk është shitje e blerje. Nuk është tradhëti. Gjithnjë vjen një kohë kur veçanërisht në angazhimet partiake dhe politike rrethanat, kushtet dhe foktorë të shumtë të imponojnë ndërmarrjen e vendimeve të vështirë. Unë u gjenda pa dëshirën time përballë kësaj sfide, por me shumë kthjelltësi zgjodha një nga vendimet më të vështirë që më është dashur të ndërmarr ndonjëherë në të gjithë karrierën time politike, i bindur se është ndërkaq vendimi i duhur, vendimi më e drejtë.

Unë do të vazhdoj të jem kontributor dhe votues i LSI-së, për aq kohë sa LSI do të jetë forcë që gjeneron energji dhe ide e që bashkon rreth saj të rinj e të reja, progresistë dhe eurosocialistë, për sa kohë që LSI do të jetë forcë që ofron kontribute për integrimin euroatlantik të Shqipërisë”, ishte mesazhi i tij i një jave më parë ku paralajmëronte largimin nga LSI.

Mesazhi i sotëm i plotë

17 vjet prej themelimit të LSI-së: KOHA PËR T’U RINGRITUR! Vitet ikin në rendin e tyre, kohët ndryshojnë e bashkë me kohët, ndryshojnë edhe brezat. Të rinjtë rriten e më të rriturit duhet të kuptojnë se të tjerë të rinj duhet të vijnë.

LSI lindi si shpresë,

lindi si besim,

lindi si ndryshim.
Lindi për të qenë lëvizje.
Është koha për t’u ringritur,
Nuk është kohë për të pritur!

Është koha për t’u ringritur me besim dhe shpresë, me forcë, me guxim dhe mençuri. LSI duhet të bëhet kauzë e të rinjve, të bëhet shtëpia e tyre. Ashtu siç thotë Migjeni, me vrull të ri, “dhe ndërgjegjet tona t’i ndezi në dashni për një ide të re”.