zoom

Politikë

Detaji që shpëtoi! Çfarë nuk u vu re në listën e deputetëve që firmosën pro shkarkimit të Metës

Përmes një postimi në Facebook, politologu Afrim Krasniqi zbulon një detaj, i cili duket se u shpëtoi syve të masës së gjerë.

Në listën e deputetëve “antiMeta”, të cilët firmosën pro nisjes së procedurave për shkarkimin e tij (50 të tillë siç u raportua) mungon numri rendor 15, pra bëhet kalimi saktësisht nga 14 në 16.

Kështu duket se është 49 numri i deputetëve në fjalë, teksa Krasniqi shton se emri i disa deputetëve nuk është aspak i qartë.

Postimi i plotë:

Saktësia e numrave dhe etika institucionale kanë kohë që nuk respektohen, por si studiues do të doja që institucioni i Kuvendit të RSH dhe memoria shtetërore të jenë të paktën formalisht korrekte! Në parlament dhe në të gjitha mediat u raportua se 50 deputetë kanë iniciuar shkarkimin e Presidentit. Në fakt, në dokumentin origjinal të firmave janë 49 deputetë, pavarësisht se janë rreshtuar emrat deri tek numri 50. Një lexim i kujdesshëm nxjerr në pah gabimin (me siguri, teknik), ku nga numri rendor 14 kalohet tek numri rendor 16. Thjesht, mungon numri 15! Po ashtu, disa emra deputetësh nuk janë të lexueshëm/të qartë, duke nxitur me të drejtë meme kritike në rrjetet sociale! Mirë deputetët që gabojnë, po Kuvendi dhe media si është e mundur që nuk i kushtojnë vëmendje minimale akteve të tilla me rendësi studimore, historike dhe shtetërore? Akte të tilla, pavarësisht qëllimit dhe ecurisë, meritojnë seriozitet institucional dhe respekt për procedurat, për formën dhe gjuhën shqipe, për institucionin dhe për funksionin që ata përfaqësojnë. Ndaj, para se Kuvendi dhe Komisioni i Ligjeve të nis shqyrtimin procedurial bëjnë mirë të kërkojnë rishkrimin dhe ridërgimin dokumentit duke përfshirë numrin 15 dhe emrat e lexueshëm të deputetëve!