zoom

Lajme

Detajet pikante, deputetët hedhin kunja dhe ironizojnë. Sula: Këtu janë çmendur të gjithë…

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula, në fjalën e tij në Kuvend tha se Kuvendi është kthyer në një shtojcë të Republikës Kryeministrore.

“Kjo që treguat këtu është një skandal. Ky nuk është parlament, por një shtojcë e Republikës Kryeministrore. Çdo deputet apo deputete ka të drejtë të flasë. Do të doja ti tërhiqja vëmendjen Nikollës, kryetarëve të komisioneve parlamentare që është e patolerueshme që jemi në fund të muajit prill dhe duhet të kishte përfunduar raportimi i institucioneve të pavarura kushtetuese, në tre mujorin e parë.

Çfarë ndodh këtu? Këtu nuk është çmendur njëri, jemi çmendur të gjithë. Ajo që ndodhi javën e kaluar që rrëzuat vendimin e Kushtetueses…”, tha ai.

Kurse deputeti Saimir Korreshi, mes ironisë deklaroi se të gjithë ligjvënësit kanë të drejtë që të marrin fjalën. Ai tha se mazhoranca po vjedh buxhetin e shtetit dhe opozita nuk po thotë gjë.

“Ne nga fusha nuk kemi? Apo vetëm ata nga mali. Ju po vidhni gjithë buxhetin e shtetit, ne nuk po themi gjë. Ne vetëm fjalën duam, na lini të vjedhim dhe ne nga fjalët”, tha Korreshi.

Kurse Felaj i kujtoi kohën e saj në opozitë: “Po bëni si gjynahqar. Po kështu është kur je në opozitë. Kemi qenë dhe ne, por kështu e ka demokracia!”.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka deklaroi nga Kuvendi se opinioni publik është i shqetësuar për ‘babëzinë’ e kësaj qeverie.

“Opinioni publik është i shqetësuar që nuk ka një qeveri, por ka një organizatë kriminale që vetëm vjedh. Është i shqetësuar për inceneratorët që kanë thithur miliona euro dhe nuk po hetohen nga drejtësia. Është i shqetësuar sepse ju keni shkelur drejtësinë dhe thoni drejtësia jemi ne. Jeni unik sa i përket babëzisë”, tha Noka.

Deputeti i PS-së, Pandeli Majko ka ironizuar Bardhin. Duke iu referuar vendimit të KiE për ta hequr Shqipërinë nga monitorimi për çështjet e të drejtave të njeriut, Majko tha se kolegët e PS ose kanë punuar shumë si delegacion, ose Basha ka tradhtuar më shumë.

“Kuvendi duhet të ishte informuar sot për vendimet e KiE për Kosovën dhe Shqipër8iunë. I bashkohem kolegut Shehu për vlerësimet që bëri. Por ka një hap tjetër, një vendim tjetër që duhet kujtuar si një moment procedurial i rëndësishëm. Ky Parlament ka një delegacion të rëndësishëm, që gjej rastin ta falënderoj, siç është vendimi për heqjen e Shqipërisë nga monitorimi për çështjet e të drejtave të njëriut. Zoti Bardhi në këtë atmosferë korrupsioni, KiE mori një vendim që është tregues se ose kolegët tanë kanë punuar më shumë se sa duhet, ose zoti Basha ka ‘tradhtuar’ më shumë se sa duhet. Zoti Basha, është humor…”, tha ai.

Por Basha iu përgjigj me replikë dhe tha se “kjo nuk mjafton që të kapesh si i mbyturi pas fijes së kashtës”.

“Zoti Majko, në fakt mos u gëzoni para kohe. Shqetësimet janë dyfishuar për Shqipërinë. Këto tregojnë se ka shumë shqetësime. Kjo nuk mjafton që të kapesh si i mbyturi pas fijes së kashtës. Mbajini mend këto që ju them. Shqetësimi i Europës është dyfish më i madh se sa ka qenë”, tha ai. /ZOOM.AL/