zoom

Të gjitha

DETAJE/ Richard Gere do dëshmojë kundra politikanit Matteo Salvini

Matteo Salvini, kreu i partisë së krahut të djathtë të Italisë, Lega Nord, doli në gjyq gjatë të shtunës me akuzën se ndaloi zbarkimin e më shumë se 100 emigrantëve në vitin 2019.

Salvini, i cili në atë kohë ishte ministër i Brendshëm, i la emigrantët të bllokuar në det derisa prokurorët urdhëruan sekuestrimin e anijes dhe evakuimin e njerëzve në bord.

Anija e shpëtimit Open Arms,, kaloi pothuajse tre javë në det, pasi Salvini i refuzoi lejen për t’u ankoruar.

Nëse shpallet fajtor, pas një procesi të gjatë gjyqësor Salvini mund të përballet me 15 vjet burg. Dënimi mund ta ndalojë Kreun e Lega Nord që të ushtrojë funksione qeverisëse.

Dëshmitarët e prokurorisë përfshijnë aktorin hollivudian Richard Gere, i cili ishte në bord.

Por i pandehuri u tall me praninë e z. Gere.

“Pyes veten nëse është serioze që Richard Gere i Hollywood do të dëshmojë për sjelljen time në një gjyq,” u tha ai gazetarëve jashtë gjykatës.

Z. Gere kishte hipur në anijen spanjolle Open Arms përpara se ajo të ankorohej pas 19 ditësh në det në ishullin Lampedusa me gati 150 emigrantë në bord.

Salvini tha se ai po mbron politikën e qeverisë së tij për “portet e mbyllura” që synojnë ndalimin e emigrantëve nga kalimi i rrezikshëm në Mesdhe.

Gjyqi do të fillonte më 15 shtator, por u shty sepse salla e gjyqit u konsiderua shumë e vogël.

Gjatë 14 muajve të tij si ministër i Brendshëm, Matteo Salvini ndaloi disa varka që të ankoroheshin në Itali në një përpjekje për të ndalur flukset e emigrantëve dhe akuzoi organet bamirëse se inkurajonin e kontrabandën e njerëzve.

Salvini e largoi partinë Lega Nord nga qeveria e koalicionit në verën e vitit 2019 në një përpjekje të dështuar për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme.