zoom

Lajme

Dështon Komisioni i Shëndetësisë, PS tërhiqet në bllok. Vokshi: Flagrante! Ndreca: Trishtim

Seanca e radhës e Komisionit Hetimor parlamentar për koncesionet në shëndetësi ka dështuar mesditën e sotme, pasi deputetët e Partisë Socialiste nuk janë paraqitur, me pretendimin se mbledhja është parashikuar pa u konsultuar me ta.

Kryetarja e Komisionit, deputetja Albana Vokshi, e ka cilësuar ‘shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit’, bojkotin në bllok të mazhorancës. Vokshi tha se mazhoranca po përpiqet të bllokojë punimet e komisionit, ndërsa bëri me dije se mbledhja e radhës do të zhvillohet të premten në orën 11:00.

“Sikurse është njoftuar dje, kam njoftuar mbledhjen e sotme të komisionit hetimor sot. Një thirrje sipas procedurave parlamentare dhe rregullores së Kuvendit. Mbledhja e sotme u thirr sepse kolegët e mazhorancës refuzuan që të kalonin kërkesën për informacion. Votuan kundër pikës nr.4 të rendit të ditës dhe meqenëse refuzuan njoftova mbledhjen e sotme sipas procedurave.

Dua të bëj me dije se mbledhja e sotme është thirrur në bazë të rregullores. Kam diskutuar dhe me nënkryetarin e këtij komisioni,  Plarent Ndreca, që të formulonin një rregullore të posaçme për punën e këtij komisioni, por ata refuzuan duke thënë se duhet të bazohemi në rregulloren e përgjithshme të Kuvendit të Shqipërisë. Neni 32, pika 2 e rregullores thotë që mbledhjet e komisionit thirren nga kryetari  tij. Unë i kam njoftuar dhe mazhoranca është në shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit.

Edhe sot siç e shihni ka refuzuar të vijë, vendet janë bosh. Pra, pavarësisht se mazhoranca po tenton të pengojë punën në komision në papërgjegjshmëri totale, duke përdorur trike, hile të paqena, absurde, dua të njoftoj mbledhjen e radhës të premten në orën 11:00.Kam marrë firmat e të gjithë deputetëve të opozitës”, tha Vokshi.

Kurse Nënkryetari i Komisionit Hetimor parlamentar për koncesionet në Shëndetësi, deputeti socialist Plaurent Ndreca, reagoi pas dështimit të mbledhjes së seancës së radhës së komisionit, duke theksuar se për mbledhjen e sotme nuk kishte asnjë dakordësi nga komisioni.

Sipas tij, njoftimet e njëanshme dhe të pavotuara, janë vijim i kulturës së mosnjohjes së procedurave.

“Trishtim i madh kur sheh kolegët e opozitës që mblidhen sipas qejfit, në mosrespekt të plotë të rregullave bazike të një organi kolegjial. Çdo vendimmarrje është e Komisionit dhe jo e Kryetares se tij. Asnjë vendimmarrje apo dakortësi nuk ka nga komisioni për mbledhje sot, pavarësisht se dje e kishim në rend dite, por u refuzua të shqyrtohet nga Kryetarja.

Njoftimet e njëanshme dhe të pavotuara apo dakortësuara në komision, janë vijim i kulturës së mosnjohjes së procedurave që i ka kthyer në parti “vulëhumbur”, që akoma, sot e kësaj dite, nuk po arrijnë ta gjejnë”, shkruan ai. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura