zoom

Aktualitet

Dëshmitar në takim: Ja çfarë i tha Ramush Haradinaj Edi Ramës në Berlin

 

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka reaguar në Facebook mbi statusin e kryeministrit Rama mbi takimin e shumëpërfolur Haradinaj-Merkel-Macron, ku ishin të pranishëm edhe Rama e Hashim Thaçi e disa të tjerë. Selimi thotë se ka qenë edhe ai prezent dhe tregon një tjetër variant nga ai i Ramës. Biseda është mes Ramës e Haradinajt, ndonëse Selimj nuk i përmemd me emra.

“Një bisedë në hollin e pritjes në Bundeskanzleramt (Zyren e Kancelares) ku isha prezent:
Lideri X: Po hiqe at dreq takse. Është koha të rregulloni marrëdhëniet me Serbi.
Lideri Y: Nuk asht veç pun’ takse. Para dy ditëve kesh në Mejë e ju kom borxh qatyne të rënëve me ju mbrojt gjakun e dinjitetin.
Lideri X: Ka përfunduar ajo kohë duhet të heqësh taksën e të arrish marrëveshje
Lideri Y: Ti kqyri punt e tua se as lu*i sme han për ty”, shkruan Selimi për atë që ndodhi më 29 prill 2019 në Berlin.

Rama shkruajti një ditë më parë se dialogu ishte zhvilluar mes Merkel e Haradinajt dhe jo mes tij dhe ish-komandantit të UÇK.

“Po a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke ‘i treguar babait arat’, kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Evropian? E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë ‘tregimin e arave’, deri në pikën që një lider kosovar ia futi në sy të Merkelit e Macronit, ‘mu nuk më han luli për kta!’ dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike”, shkruan Rama.

Ramush Haradinaj e akuzoi Ramën e Thaçin se i kishin bërë presion më shumë se Merkel e Macron. Ai tha po ashtu se Rama, Thaçi e Vucic do përfitonin nga 10 miliardë dollarë nga ndarja e Kosovës. Rama e paditi, por më vonë u tërhoq për arsye ende të paqarta. /Zoom.al