Aplikacion
Policia njoftoi se veç autorit të vrases së efektivit të policisë, 21-vjeçari Aldi Rama ka prangosur edhe dy persona të tjerë që ndodheshin me të në makinë në momentin që i riu ka shkrepur armën ndaj policit 45-vjeçar, baba i dy fëmijëve të mitur.
Njëri prej personave të arrestuar është identifikuar me emrin Aleksandër Marku. Babai i këtij të fundit, sipas Report TV, ka dëshmuar në polici se në arrati është edhe një person i katërt, që mendohet se ka qenë edhe kreu i grupit të kultivimit të kanabisit në këtë zonë.
Babai i Aleksandër Markut pretendon në dëshminë e tij se ka qenë pikërisht personi në arrati ai që u ka drejtuar pistoletën në kokë si djalit të tij, ashtu edhe Aldi Ramës duke u thënë që të mos i ndalonin postbllokut të policisë, por të largoheshin. Personi në arrati dyshohet se është shtetasi Xhulio Vokrri, i shpallur në kërkim nga policia për kultivim lëndësh narkotike.
Ndërkohë, në dëshmia e shefit të krimeve të Lezhës, Leonard Palushi, gjithashtu dëshmitar okular në ngjarje. Ai thotë se kishin marrë informacione se në këtë zonë ndodhej Xhulio Vokrri dhe ngritën postbllok për të ndaluar makinën e Aldi Ramës.
“Bëmë postbllok pasi kishim informacion për të kërkuarin Xhulio Vokrrin. Saimir Hoxha, unë dhe 2 policë i dolëm para makinës së Aldi Ramës. Rama nuk ndaloi dhe qëlloi, vrau Hoxhën, ne të tjerët përfunduam në kanal”, tha Palushi.