zoom

Lajme

“Der Standard” për vizitën e Melonit: Bllofi elektoral 800 mln euro, vetëm anija kushton…

Nuk është vetëm kanali televiziv italian RAI 3 që raporton dyshimet dhe fijet e errëta të marrëveshjes së emigrantëve Rama-Meloni, por edhe media ndërkombëtare prestigjioze.

Gazeta e njohur austriake “Der Standard”, i ka kushtuar një shkrim vizitës së kryeministres italiane, Giorgia Meloni në Shqipëri.

“Kryeministrja italiane Giorgia Meloni do të udhëtojë të mërkurën në Shqipërinë jashtë BE-së, ku do të takohet me homologun e saj shqiptar, Edi Rama. Kryetarja e qeverisë kërkon të mësojë për ecurinë në ndërtimin e qendrave të pritjes për emigrantët. Vizita bie gjatë javës kulturore italiane që po vazhdon në Tiranë dhe zhvillohet pak ditë para zgjedhjeve evropiane, të cilat do të zhvillohen në Itali të shtunën dhe të dielën e ardhshme.

Opozita në Itali prej ditësh po flet për një “bllof elektoral 800 milionë euro”. Kaq mund t’i kushtojë Italisë ngritja e dy kampeve për emigrantët nga Italia në Shqipëri. Meloni i është përgjigjur vazhdimisht këtyre kundërshtimeve duke thënë se “transferimi i emigrantëve” është i një rëndësie strategjike dhe vendos “standardet në Evropë” sepse “mund të ndryshojë rrënjësisht politikën e migracionit në BE””, shkruan gazeta.

Ajo thekson se vetëm anija që do sjellë emigrantët do ketë një kosto shumë të lartë.

“Marrja me qira e një anijeje për të transportuar emigrantë që përndryshe do të silleshin në Itali nga Siçilia në Shqipëri do t’i kushtojë qeverisë në Romë rreth 150 mijë euro në ditë. Qeveria ka vendosur një tavan prej 13.5 milionë euro për këtë qëllim. Kontrata me kompaninë e transportit që do të ofrojë anijen, ka një afat prej tre muajsh, nga 15 shtatori deri më 15 dhjetor, u tha në Romë.

Anija do të sjellë emigrantë nga Mesdheu në portin shqiptar të Shëngjinit, fillimisht në një kamp në bregdetin shqiptar. Destinacioni përfundimtar është një kamp internimi 20 kilometra në brendësi të vendit. Sipas Ministrisë së Brendshme italiane, anija do të sjellë në Shqipëri 200 emigrantë tre deri në katër herë në muaj duke filluar nga 15 shtatori. Koha e udhëtimit për një transport llogaritet rreth 50 orë. Nëse anija udhëton më pak se 6,000 milje detare në tre muajt e planifikuar, kostot e funksionimit do të reduktohen me 15 për qind, siç është rënë dakord,” shkruan gazeta ndër të tjera. /ZOOM.AL/