zoom

Sport

Depay dhe Aguero, të çmendur për t’iu bashkuar Barcelonës

Drejtuesit e Barcelonës e kanë përparësi për sezonin 2021-2022 afrimin e një numri 9. Ideal për këtë rol është pa dyshim Erling Haaland, përfaqësuesit e të cilit kanë pasur biseda paraprake me krerët katalanë, për të kuptuar mundësitë për këtë transferim. Borussia e Dortmundit kërkon për talentin norvegjez jo më pak se 150 milionë euro.

Arrihet ose marrë veshja me verdhezinjtë për Haaland, klubi i Barcelonës parashikon përforcime të tjera për fazën e avancuar. Bëhet fjalë për mundësitë me kosto zero të kartonit që të ofron merkatoja. Ky është rasti i 27-vjeçarit Memphis Depay-t, i kërkuar me ngulm nga trajneri Koeman, por edhe i Kun Agueros, që javë më parë ka zyrtarizuar divorcin me Manchester City-n.  Të dy këta lojtarë janë “të çmendur” për të luajtur për Barçën.

E ardhmja e Depay është larg Ligue 1. LaLiga ose Seria A mbeten destinacionet kryesore për të. Anësori holandez, i cili gjithashtu mund të veprojë si sulmues, preferon Barçën dhe menaxherët e tij tashmë janë takuar me klubin. Disa javë më parë, i njëjti përfaqësues që solli Cillessen te “blaugranat” u takua në Barcelonë me Mateu Alemany-n, drejtorin e ri të futbollit. Atij iu ofrua gjysma ose pak më shumë se gjysma e asaj që u ra dakord tetorin e kaluar, një reduktim i ndjeshëm që ai është i gatshëm ta diskutojë.

Juventusi po shfaq gjithnjë e më shumë interes për Depay-n, me idenë e ngritjes së nivelit të cilësisë së skuadrës. Cristiano Ronaldo, Dybala dhe Morata nuk e kanë të qartë të ardhmen e tyre dhe ndër objektivat e Fabio Paraticit, drejtorit sportiv të “Zonjës së Vjetër”, mbetet holandezi.

Barça duket e avantazhuar në garën për 27-vjeçarin edhe për faktin se skuadra drejtohet nga një bashkëkombës i sulmuesit, Ronald Koeman. Problemi është se nuk ka pëlqimin e plotë në zyrat e klubit katalan. Barça është në garë për titullin kampion në Spanjë dhe e ka të sigurt pjesëmarrjen në Champions, diçka që Juve ende nuk e ka garantuar.

Alternativë për rolin e numrit 9 mbetet Kun Agüero. Lojtari argjentinas, i cili do të jetë edhe për disa javë pjesë e Manchester City, është i motivuar për të luajtur krah Messit. Sikurse Depay, edhe Aguro do të ishte i gatshëm të ulte pretendimet financiare (te City ka fituar 12 milionë euro në sezon). Te Barcelona e shohin një sulmues zëvendësues, por që mund të jetë titullar në varësi të formës që do të shfaqë.