zoom

In Zoom

Denoncimi/ Resorti i njohur në Jalë, muzikë jashtë orarit. Bizneset: Pandershmëri

Është ora 00.20 e së dielës. Një mesazh në redaksinë e Zoom.al sinjalizon shqetësimin e disa pushuesve. Thonë se janë prej disa ditësh në plazhin e Jalës. Kanë marrë shtëpi me qira pranë bregut.

“Nuk po na lënë një natë rehat. Ka kaluar ora 12 e natës dhe është muzika në kupë të qiellit. Nuk po pushojmë dot”.

Kur i pyesim se nga vjen muzika, thonë se është një resort.

“Folie Marine. Bën muzikë gjatë gjithë natës. E kemi njoftuar policinë. Na thonë po, po dhe nuk ndodh asgjë”.

Ankesa e pushuesve është lehtësisht e verifikueshme. 10 minuta pas bisedës, në faqen e resortit janë të postuara video me muzikë të lartë. (shihni videon e Zoom.al më poshtë).

Ligji e ndalon muzikën përtej orës 00:00. Zoom.al u interesua pranë disa bareve, restoranteve e resorteve të tjera përgjatë bregut të Jugut, i cili është më i preferuari nga të rinjtë në sezon. Nga Palasa në Ksamil, të gjithë bizneset e kontaktuar na pohuan se “Folie Marine” është i vetmi ku bëhet muzikë pa limit, përtej çdo orari të lejueshëm.

“Është konkurrencë e padrejtë, pabarazi”, tha njëri nga operatorët turistikë që dëshiron të mbetet anonim.

“Kush i merr lekët që ata të rrinë hapur dhe ne mbyllur? Çfarë bën policia?” – është ankesa e një tjetri.

“Kjo është ajo që krijon Edi Rama. Punon vetëm njëri, të tjerët të gjithë mbyllur. Përse do të duhet ta votojmë ne këtë? Kështu ka bërë edhe gjatë pandemisë, ne mbyllur Folia e mikut të tij hapur”, flet i irrituar në telefon pronari i një club-i veror në Himarë.

Vetë resorti njofton çdo fundjavë se ka muzikë me DJ të njohur apo këngëtarë live dhe pa asnjë shqetësim poston video me aheng pas orarit të lejuar.


Policia e Himarës duket e pafuqishme për të vepruar, pasi merr denoncimet e pushuesve të ndryshëm, por situata nuk ndryshon.

Një efektiv i policisë, i larguar pak muaj më parë nga Himara, i tha Zoom.al se “policët e thjeshtë as që guxojnë t’i afrohen resortit”. “Shpesh urdhëri vjen nga lart që të mos e ngacmojmë”, shtoi ai. /Zoom.al