zoom

Lajme

Denoncimi i Xhixhos: Paratë e buxhetit shkojnë për PPP-të, arsimi profesional i keqfinancuar

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, deklaroi sot se arsimi profesional është i keqfinancuar dhe nuk është i orientuar në tregun e punës.

Xhixho thekson se pasi Rama neglizhoi për dy mandate këtë sektor, ndërsa zhvendosi barrën te bizneset për të financuar arsimin profesional.

Deklarata e plotë:

“Arsimi profesional është i keqfinancuar dhe aspak i orjentuar drejt tregut të punës. 📚

I njëjti kryeministër që tetë vjet më parë deklaronte se “punë ka por nuk ka profesionistë”, del e thotë sot se 70% e kërkesave për punëtorë janë për profesionistë e zanatçinj, a thua se nuk ka qenë vetë në krye të qeverisë përgjatë këtyre viteve. Pasi e neglizhoi për dy mandate, tani kujtohet ta zhvendosë barrën te biznesi duke u imponuar ta financojnë arsimin profesional. Vetëm 0.14% e PBB-së është mbështetja që qeveria ka parashikuar për arsimin profesional, ndërkohë që paratë e buxhetit të shtetit derdhen lumë për PPP-të që u jepen klientëve të qeverisë.

Arsimi shqiptar është sot në ditën më të zezë të tij. Ndaj ringritja e arsimit është arma më e fortë për ta kundërshtuar humbjen e shpresës dhe largimin e pjesës më vitale të shoqërisë shqiptare.

Ne kemi propozuar një pakt kombëtar, i cili parashikon reformimin e thellë të kurrikulave shkollore, depolitizimin e institucioneve të arsimit, buxhetimin dysheme në masën 5% PBB dhe rritjen e pagave për mësuesit dhe pedagogët. Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar nëse duam ta shpëtojmë Shqipërinë!”. /ZOOM.AL/