Aplikacion
Teksa i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Gjeneral Cavolit, Ministri Peleshi e njohur atë me masat e marra nga vendi ynë për mbarëvajtjen e kësaj stërvitjeje të rëndësishme. Ministri Peleshi u shpreh besimplotë se kjo stërvitje do të shërbejë si gur themeli për çuarjen përpara dhe intesifikimin e stërvitjeve dypalëshe, Shqipëri-SHBA. Gjithashtu, z.Peleshi konfirmoi gatishmërinë e palës shqiptare jo vetëm për të rritur prezencën në stërvitjet e tjera Defender jashtë kufijve, por dhe për të mirëpritur serinë e Defender-it ’23 dhe ‘25 në të ardhmen, po në Shqipëri.
Ministri Peleshi falënderoi Gjeneral Cavolin për mbështetjen e pakursyer që SHBA-të kanë dhënë dhe vijojnë të japin për modernizimin e Forcave të Armatosura të RSH-së, me qëllim rritjen e nivelit të tyre të gatishmërisë, operacionalitetit dhe ndërveprueshmërisë, për të qënë në lartësinë e sfidave të sigurisë dhe mbrojtjes të kohës në të cilën jetojmë.
Nga ana e tij, Gjeneral Cavoli falenderoi vlerësoi maksimalisht masat e marra nga vendi ynë, si vend pritës, për zhvillimin dhe arritjen e objektivave të stërvitjes Defender Europe ‘21. Ai nënvizoi rëndësinë që kanë stërvitjet dhe trajnimet e përbashkëta, të cilat rrisin nivelin e ndërveprueshmërisë ndërmjet aleatëve. Stërvitja Defender 21 është cilësuar si një mundësi e shkëlqyer që ushtarakët shqiptarë dhe ata amerikanë, të stërviten së bashku në mënyrë që, ata do të jenë të aftë që në të ardhmen të përballojnë sfidat, po së bashku.
Më tej, Gjeneral Cavoli siguroi ministrin Peleshi se Komanda e Ushtrisë Amerikane në Europë, do të vijojë të planizojë dhe zhvillojë stërvitje të përbashkëta me FA, si dhe do të mbështesë në vijimësi procesin e modernizimit të tyre.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin qëndrim mbi angazhimet e shkëlqyera të Shqipërisë në misionet dhe operacionet e Aleancës, por dhe mbi zhvillimet dhe sfidat e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria luan një rol qëndror në reduktimin e influencave dhe përpjekjeve destabilizuese të aktorëve te huaj në rajon.