zoom

Politikë

Debate dhe tensione te Komisioni për Shëndetësinë. Akuza mes Vokshit, Ndrecës, Koçit dhe Zhupës

Ka nisur me debate dhe akuza të forta mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë, ku pati replika mes kryetares Albana Vokshi, nënkryetarit Plarent Ndreca dhe anëtarëve Zhupa e Xhoxhi.

Kryetarja Vokshi ka deklaruar se anëtarët e mazhorancës kanë shkelur katër herë rregulloren duke bojkotuar mbledhjet, ç’ka parashikohet në ligj se duhet të zëvendësohen me deputetë që kanë vullnet.

Ajo kërkoi që spot të zhvillohet një mbledhje normale. “1/3  e komisionit mund të thërrasë në çdo kohë mbledhje e cila është e detyrueshme. Keni shkelur 4 herë ligjin dhe rregulloren. Ligji thotë që nëse mungojnë anëtarët më shumë se tre herë ata duhet të zëvendësohen me deputetët që kanë vullnet. Po ju shtrij dorën e bashkëpunimit që sot të kemi një mbledhje të rregullt. Qytetarët presin shumë nga ne. Presin hetim të paanshëm dhe transparencë”, tha ajo.

Në mbledhjen e Komisionit Hetimor për Kontratat e Partneritetit Publik Privat në Shëndetësi, nënkryetari Plarent Ndreca deklaroi se mazhoranca jo vetëm që nuk e ka bojkotuar këtë komision, por kanë punuar për një Plan Hetimor të detajuar.

“Më vjen shumë keq që e nisni me deklarata politike. Shumica nuk e ka bojkotuar këtë komision. Thirrjet e mbledhjeve nuk mund të jenë të njëanshme. Jo vetëm që nuk e kemi bojkotuar, por kemi punuar intensivisht me një Plan Hetimor, atë që ju nuk e keni bërë prej vitesh. Ta fillojmë mbarë mbledhjen duke miratuar fillimisht rendin e ditës dhe pastaj vijojmë me pikat e tjera”, deklaroi Ndreca.

Vokshi e kritikoi ashpër dhe i tha se “e kanë kërkuar fjalën zonjat. Po e morët fjalën tani, s’do e merrni më!.

Teksa Ndreca vijoi replikën: “Mendoj që t’ja kursejmë këtë njëri-tjetrit. Ata mund ta kërkojnë fjalën sa herë të duan, dhe nuk është kryetari që e përcakton këtë gjë. Unë them t’i kursejmë këto debate. Jemi këtu për të ndërtuar një proces të rregullt ligjor. Një pjesë e të pranishmëve e kanë përcaktuar fundin e komisionit, por ne nuk tallemi”.

Kurse deputeti socialist Petro Koçi akuzoi Vokshin për njëanshmëri. “Fakti që ua jep fjalën vetëm anëtarëve të opozitës tregon se nuk je e paanshme”, tha ai.

Kurse deputetja Ina Zhupa, në një përgjigje ndaj Sekretarit të Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, tha se shqiptarët e kanë ndarë tashmë se cili është për të bërë punët dhe cili jo. Ajo shtoi se mazhoranca ka bojkotuar katër herë punën e komisionit.

Klevis Xhoxhi, sekretar, u shpreh: “Besoj është e qartë, por edhe publiku e ka të qartë se cila palë ka ardhur për të bërë punë dhe cila zhurmë”. Kurse Ina Zhupa iu përgjigj:

“Tërheq vëmendjen e sekretarit të komisionit për një gjuhë aspak etike. Ku e merrni këtë të drejtë për t’u drejtuar ashtu një zonje. Se kush është për punë, dhe kush për të vjedhur, këtë e kanë ndarë shqiptarët. Ju nuk keni shprehur asnjë kundërshtim se pse nuk do të donit atë datë apo një orë tjetër. Ju keni vendosur të bojkotoni këtë komision. Ne vijmë në mbledhje, se ka një rend dite. Nuk vijmë në mbledhje për të vendosur rendin e ditës, apo të shtyjmë kohën. Shqiptarët e dinë se pse kanë bojkotuar zgjedhjet”. /ZOOM.AL/