zoom

Aktualitet

David J. Kostelancik do të emërohet në postin e ambasadorit të SHBA-ve në Shqipëri, njofton Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka njoftuar se David J. Kostelancik do të jetë ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri. Njoftimi është publikuar nga faqja zyrtare e Shtëpisë së Bardhë ku bëhet me dije se propozimet për emërimin e ambasadorëve të rinj, duhet të miratohen në senat.

Në dhjetor të 2022, nisën procedurat për zëvendësimin e ambasadores Yuri Kim, duke bërë me dije se zëvendësi i saj do të ishte David Kostelanick, ashtu siç u konfirmua nga njoftimi i Shtëpisë së Bardhë të publikuar ditën e djeshme.

David J. Kostelancik, shërben aktualisht si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley. Ai ka shërbyer më herët si zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.

Ai ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatmit të Ligjit.

Zoti Kostelancik ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë. Ai ka shërbyer edhe në misionet e SHBA-së në OSBE dhe NATO. Ai ka shërbyer gjithashtu edhe në Ankara të Turqisë. Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northëestern të këtij shteti.

Ai ka gjihashtu dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës, dhe Universiteti i Miçiganit. Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.

Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, diplomati Kostelancik do të zëvendësojë ambasadoren aktuale amerikane në Shqipëri, Yuri Kim e cila mori votëbesimin si ambasadore e SHBA nga senati amerikan në 29 nëntor 2019 dhe mbërriti në Tiranë në 22 janar të 2020.

Kim do të jetë kandidate për t’u bërë diplomate e re amerikane në Korenë e Jugut, pozicion që e pretendon edhe ish-komandanti i Forcave Amerikane të Koresë, Vincent Brooks
Ambasadorja Kim, një diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme.

Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).

Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë. Më herët në karrierën e saj, ka qenë Ndihmëse e Posaçme e Sekretarit të Shtetit Colin Powell, si dhe Ndihmëse e Posaçme e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit. Mandatet e saj jashtë SHBA përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën.