Aplikacion
Ndërtimi është burimi kryesor i pastrimit të parave në Shqipëri, siç shkruhet e zezë mbi të bardhë në raporte të ndryshme të organizmave ndërkombëtare.
Ndërsa çunat e Durrësit në Dubai janë “bankierët” më të fuqishëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, të cilët po provojnë mënyra të ndryshme për t’i legalizuar paratë e tyre.
“Kemi parë dosje e grupe që fillojnë në Amerikën Latine, shesin në Europë dhe qëndrojnë në gadishullin arabik. Në Dubai shqiptarët kanë investuar atje më shumë se 1 miliardë dollarë. Pashë kompani të themeluara nga personazhe që vijnë nga bota e dyshimtë, potenciali ekonomik që zotëronin ishte shumë i madh. Kishte investime nga shqiptarët qindra miliona euro. Për këto grupe Shqipëra është shumë e vogël”, deklaronte gazetari investigativ Artan Hoxha pak kohë më parë.
Përpara se të miratohej projekti për Portin e Durrësit, Shqipëria nuk ka pasur projekte të tjera në shifra marramendëse prej 2 miliadë dollarësh, që “milionerët shqiptarë të Dubait”, në veçanti “çunat e Durrësit” që jetojnë atje, ta shihni si potencial për të investuar kapitalin e tyre.
Me miratimin e kontratës në parlament, loja ka ndryshuar. Dhe në këtë lojë të dyja palët kanë interesa jetike; njëra për t’i legalizuar paratë, tjetra për t’i gjetur miliardat që i duhen për të realizuar projektin.
Siç rezulton nga kontrata e miratuar nga qeveria dhe parlamenti shqiptar, arabi nga Dubai nuk i ka paratë që nevojiten për të ndërtuar Portin e Jahteve apo pallatet.
Ai ka mundur të sigurojë vetëm 180 milionë dollarë. Se ku do t’i gjejë 1 miliardë e 820 milionë dollarë të tjera për të plotësuar 2 miliardë dollarët që ka premtuar për portin, është tërësisht e paqartë.
Boom-i i ndërtimeve e ka favorizuar pastrimin e të ardhurave nga aktivitetet kriminale dhe jo më kot Mekanizmi i Bashkimit Europian, MoneyVal, e futi Shqipërinë sërish në listën gri, “si një vend me rrezik të lartë të pastrimit të parave”. Vendi ynë kishte dalë nga kjo listë në vitin 2015, por u fut sërish në vitin 2020, kohë kur në Shqipëri kishte nisur të përflitej ideja për projektin e portit të Durrësit.
Sipas raportit “Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Kufitar”, shumë kompani shqiptare që kanë marrë leje ndërtimi nuk i kanë kapacitetet financiare për t’i përfunduar investimet.
Ekspertët thonë se, për shkak se kompania offshore “Eagle Hills” që mori pa garë Portin e Durrësit nuk i ka paratë, ligji i mirtuar në parlament i ka dhënë mundësinë të përdorë 5 skema financimi, disa prej të cilave janë të dyshimta, pasi lejojnë futjen e parave nga aktivitete të pakontrolluara.
Sipas tyre, këto skema mund t’i hapin rrugë lehtësisht futjes së parave informale, pasi lënë shumë hapësirë për kanalizimin dhe pastrimin e tyre.
Skemat se si marrëveshja e Portit të Durrësit mund t’i hapë rrugën pastrimit të parave
Kontrata parashikon që kompania offshore “Eagle Hills” ose investitorët e tjerë mund të marrin hua nga banka të huaja. Ekspertët shpjegojnë që ky është mjeti më i mirë për të justifikuar burimin e parave.
Nëse çunat e Durrësit në Dubai kanë arritur të krijojnë kompani për të pastruar miliardat e eurove që kanë krijuar nga kokaina e Amerikës Latine, futja e parave të tyre në Durrës përmes këtyre kompanive do të ishte më e lehtë. Për më tepër, kushtet janë më të favorshme, për shkak se si “çunat e Durrësit” ashtu edhe arabi që do të ndërtojë portin, i kanë “selitë” në Dubai.
“Kompanitë “offshore” janë mundësia më e mirë për t’u përdorur për qëllime të paligjshme si pastrimi i parave dhe evazioni fiskal, pasi janë ndërtuar pikërisht për të fshehur burimin e parave dhe njerëzit që qëndrojnë pas tyre”, thonë ekspertët.
Çunat e Durrësit në Dubai u akuzuan nga opozita se ishin aktivizuar në fushatën elektorale për Partinë Socialiste dhe Emiriana Sakon në bashkinë e Durrësit. Nëse akuzat janë të bazuara, lidhja mes Durrësit dhe Dubait ka më pak gjasa të jetë rastësore. /Zoom.al