zoom

Bota

COVID në Europë, valë e re infektimesh dhe ashpërsim masash

Infektimet me COVID-19 kanë thyer edhe njëherë rekorde dhe një valë e re COVID-19 po godet Europën.

Qeveritë kanë vendosur masa të reja të ashpra që na kujtojnë bllokimet e para vitin e kaluar.

Pas Austrisë, Sllovakia miratoi një bllokim kombëtar, fillimisht për dy javë.

Italia vendosi të ashpërsojë masat për të pavaksinuarit, të cilët tani janë të përjashtuar nga disa aktivitete, në mënyrë që të shmangë bllokimet të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejtë te ekonomia.

“Ne duam të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të shmangim rreziqet sigurisht, por gjithashtu duam të mbajmë atë që kemi arritur, atë që italianët kanë arritur,” – tha këtë javë kryeministri italian Mario Draghi.

Franca krijoi një sistem të diskutueshëm pasaportash vaksinimi dhe Danimarka po mendon rifutjen e maskave të detyrueshme në publik.

Dramatike është situata në Gjermani ku u tejkalua numri 100 mijë i viktimave nga COVID disa ditë më parë.

Ministri në largim i Shëndetësisë, Jens Spahn, kishte një paralajmërim të ashpër, duke thënë se deri në fund të dimrit “të gjithë në Gjermani do të vaksinohen”.

Kancelari i ardhshëm, Olaf Scholz, ka ngritur tashmë mundësinë e vaksinimeve të detyrueshme.

“Vaksinimi është mënyra e vetme për të dalë nga kjo pandemi,” – deklaroi ai.

Në Austri, ashpërsimi i kufizimeve pati një efekt të menjëhershëm.

Që nga shpallja e izolimit dhe urdhër vaksinimi mbarëkombëtar, qendra më e madhe e vaksinave në Vjenë pa një rritje të njerëzve që duan të injektohen.

Sipas statistikave kombëtare, numri ditor i vaksinimeve është rritur nga afërsisht një mijë në ditë dy javë më parë në rreth 12 mijë në ditë këtë javë.

Shumica e njerëzve ishin aty për vaksinat e tyre përforcuese, por edhe numri i vaksinimeve të para u rrit deri në 15%.

Disa analistë politikë thonë se qeveria austriake nuk e komunikoi në mënyrë efektive rëndësinë e vaksinave mjaft herët dhe shumë austriakë nuk e morën seriozisht fushatën e vaksinimit. / Euronews.al