zoom

Aktualitet

COVID/ Komiteti i Imunizimit rekomandon dozë të tretë vaksine

Komiteti i Imunizimit në vendin tonë i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit Teknik të ekspertëve vaksinimin me dozë të tretë për qytetarët mbi 60-vjeç dhe për ata me sëmundje kronike.

Vaksinimi me dozat e treta do të jetë i kombinuar, pra nëse dikush ka bërë Pfizer, dozën e tretë mund ta bëjë edhe Sinovac, apo një vaksinë tjetër që përdoret në vendin tonë.

Po ashtu është rekomanduar edhe vaksinimi i fëmijëve mbi 12-vjeç që vuajnë me sëmundje kronike. Sipas Komitetit të Imunizimit, vaksinimi i fëmijëve në kategorinë përkatëse, duhet të vaksinohen me Pfizer.

Vaksinimi me doza të treta dhe vaksinimi i fëmijëve mbi 12-vjeç tashmë është një praktikë që po ndiqet në shumë vende, ndërsa në vendin tonë ka patur disa debate nëse duhet të bëhet e njëjta gjë.

Pavarësisht se nuk është marrë ende një vendim i tillë, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se me nënshkrimin e kontratës prej 500 mijë vaksinash Pfizer që pritet të vijnë brenda vitit, është siguruar sasia e nevojshme edhe për të nisur me dozat e treta.

Mbrëmjen e djeshme erdhën në vend 117,000 doza të vaksinës Pfizer, pjesa e parë nga marrëveshja e arritur me Pfizer. Deri më tani, numri total i vaksinave të mbërritura në vendin tonë ka shkuar në 2,379,960.