zoom

Aktualitet

Covid-19 nuk ka të ndalur në Shqipëri, sërish shifra të larta infektimesh

Covid-19 vijon të shkaktojë shifra shqetësuese infektimesh në vendin tonë, teksa në 24 orët e fundit janë raportuar 1373 qytetarë pozitivë me virusin.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rastet janë zbuluar pas kryerjes së 2801 testimeve, ndërsa fatkeqësisht janë shënuar dhe dy humbje jete. Dy të moshuar nga Tirana, të moshave 73 dhe 78 vjeç kanë humbur betejën. Në 24 orët e fundit janë shëruar po ashtu dhe 1468 qytetarë.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

COVID19/ Ministria e Shëndetësisë: 2801 testime, 1373 qytetarë të infektuar, dy humbje jete dhe 1468 të shëruar në 24 orët e fundit

Nisur nga rritja e numrit të qytetarëve të prekur nga Covid19, Ministria e Shëndetësisë i bën sërish thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë vaksinimin anticovid, posaçërisht në këtë periudhë të rritjes së kontakteve, për shkak të lëvizjeve përgjatë sezonit veror.

Çdo person mbi 12 vjeç, mund të vaksinohet në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Gjithashtu MSHMS apelon të gjithë qytetarët e vaksinuar, që të drejtohen në qendrat shëndetësore, për t’u vaksinuar me dozën përforcuese.

Vaksinat antiCOVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

Nëse keni shenja të sëmundjes apo keni patur kontakt me një person të prekur nga Covid19, izolohuni menjëherë dhe kontaktoni mjekun tuaj të familjes për t’u testuar sa më parë ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127.