zoom

Slider

Colella e sheh Partizanin kompetitiv: Nuk kam frikë pas largimeve, kujdes nga Teuta!

Trajneri i Partizanit, Giovanni Colella, insiston se skuadra e tij do të jetë kompetitive, pavarësisht largimeve në merkato.

Sa i përket ndeshjes kundër Teutës, Colella, tha në konferencën e shtypit se duhet ta vlerësojnë maksimalisht për të marrë maksimumin.

TEUTA – “Nuk e cilësoj Teutën një skuadër të vendeve të fundit, por një ekip që ka bërë më shumë pikë se të tjerët në ndeshjet e fundit. Mendoj se është një ndeshje shumë e vështirë.

FORMACIONI – “Ndonjë gjë do të ndryshojë, sepse është larguar ndonjë, por nuk do të ketë ndryshime të mëdha. Statistikat janë gjërat që nuk vlejnë. Teuta me të cilën jemi ndeshur para 10 ndeshjesh, nuk është Teuta e tashme, është një skuadër krejtësisht ndryshe”.

DA SILVA – “Ai është pjesë e skuadrës dhe të grumbulluarve. Do të mungojnë Skuka dhe Bitri. Po, mendoj se nuk janë ata (qesh). Janë dy lojtarë të mirë që u larguan, por unë jam i bindur se në grupin tonë kemi cilësinë për t’i zëvendësuar”.

LËVIZJET NË MERKATO – “Çdo gjë që bën klubi, e bën në dakordësi me të gjithë palët. Nëse klubi vendos që të shesë një lojtar, mendoj se trajneri nuk ka forcën që të thotë të mos e shesin, se strategjia e klubit është mbi strategjinë e trajnerit. Pastaj trajneri është ai që vendos për aspektin teknik për zëvendësuesit, por edhe për ata që mbërrijnë është thelbësore vizioni i klubit”.

SHIRTI I KAPITENIT – “Telushi mund t ë jetë zgjidhje, e kemi diskutuar, por nuk e vlerësoj edhe aq të rëndësishme. Edhe kur ishte Bitri, kishte një grup lojtarësh, ata më ekspertë, që janë kapitenët, nuk është vetëm një në skuadër sipas meje. Brenda këtij grupi do të jetë kapiteni i ardhshëm”.

PREKA – “Marçelino rifilloi punë këtë javë dhe ka ende një rrugë mjaft të gjatë përpara. Por padyshim Preka u mor për të qenë një element i rëndësishëm në grup. Kur të jetë në dispozicion, do të ketë shansin e tij siç e kanë pasur të gjithë. Absolutisht që kemi mbrojtës, nuk ka ndonjë diferencë aq të madhe mes atyre që kanë luajtur më shumë dhe atyre që kanë luajtur më pak. Kemi mbrojtës të mirë si Menish dhe Saliu e na i kanë kërkuar ekipe të tjera të Superiores. Ata do të kenë më shumë shanse se sa kishin më përpara. Ata që u afruan janë dy lojtarë të mirë, janë djem që kanë ardhur me dëshirën për t’u vënë në dispozicion dhe për të luajtur për Partizanin, ndaj për mua ky është një motivim shumë i fortë”.

LARGIMI I LOJTARËVE ME EKSPERIENCË – “E kam thënë shpesh se fjala frikë nuk bën pjesë në botën e futbollit. Më vijnë në mendje ata që shkojnë të flejnë në Ukrainë natën duke dëgjuar bombat, ajo është frika. Por përtej kësaj, u vendos në bashkëpunim me klubin, që të besohej te lojtarë që i përkasin të ardhmes dhe të mos marrim lojtarë pa ekip e që kanë një moshë të caktuar”. /zoom.al/