zoom

Të gjitha

Ç’ndodhi me Guljelm Radojën? Flasin mjekët: Virusi i shkaktoi insuficiencë në organet jetike

Edhe pse ishin të shumtë ata që u lutën për shërimin e tij, aktori Guljelm Radoja u nda dje nga jeta pas një muaji lufte me vdekjen.

Fatkeqësisht, Covid-19 i ka marrë jetën një tjetër artisti, duke na e lënë kështu një tjetër vend të zbrazët në panteonin e vlerave shqiptare.

Pas një qëndrimi të gjatë në Spitalin e Durrësit, në reanimim në gjendje të rëndë, aktori u nda nga jeta mëngjesin e djeshëm, në moshën 75-vjeçare. 30 orët e fundit të jetës i kaloi në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i intubuar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, ka qenë i pamundur përmirësimi i tij. Sapo lajmi për gjendjen e tij të rëndë u përhap përmes rrjeteve sociale, komuniteti artistik i bëri apel qeverisë që ta dërgonin jashtë shtetit për një kurim më të specializuar, por gjendja e tij e rënduar nuk ia lejonte udhëtimin.

Sipas mjekëve që e ndoqën rastin e tij, Radoja nuk vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese, por pas infektimit nga Covid-19, pësoi një insuficentë multiorganore. Virusi shkaktoi daljen jashtë funksionimit normal të të gjitha organeve jetësore të tij, çka çoi dhe në fundin fatal, në vdekje.

Lajmi i vdekjes së tij është konfirmuar nga djali i tij, pianisti Redi Radoja: “Pushofsh në paqe, bab! Do ndrijnë akoma sytë e tu mbi ballin e vajzës, djalit, mbesave dhe nipit të vogël”, shkruan ai në rrjetet sociale, duke dhënë kështu edhe lajmin e mbramë të humbjes së një prej aktorëve tanë më të spikatur.

Radoja iu bashkua artistëve që u ndanë nga jeta nga ky virus i pabesë, si piktori Arben Bajo; regjisori e skenaristi, Koço Devole; regjisori Muharrem Fejzo; kompozitori Agim Krajka apo kantautori Kujtim Prodani.

Guljelm Radoja ishte nga ata aktorë që i rrinte mirë çdo roli. Nuk kishte rol “të madh” apo “të vogël”, ai u përkushtohej të gjithëve. Në endjen e publikut do të mbetet zëri i tij i ngrohtë, ai vështrim i thellë mes syve bojëqielli, që ia shtonin edhe më tepër ekspresionin portretit të tij.

Në galerinë e roleve të tij gjen karaktere nga më të ndryshmit, që nga inxhinieri që çante dëborën, te dëshmori i shkronjave shqipe, nga shoqëruesi i Ismail Qemalit te prifti në kërkim të eshtrave të “ushtrisë së vdekur”, nga “Gjeneral gramafoni”, ku ka ndërtuar një portret të jashtëzakonshëm e duke ngritur “mitin” e një aktori të niveli të Clark Gamble tek ushtaraku “I penduar”.

Guljelm Radoja lindi më 2 korrik të vitit 1945 në qytetin e Shkodrës. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ai u emërua aktor në Teatrin Kombëtar më 1997 dhe qëndroi deri në daljen e tij në pension, në vitin 2010.

Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois wedding” e Bertold Brehtit; “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj. Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i tij i parë ishte ai i inxhinierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si: roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim të verës” në vitin 1975; roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979; roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë në vitin 1984; roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989; roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998 etj. Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

“Muret” e rrjeteve sociale u mbushën me fotografitë e Guljelm Radosë, me mesazhe të ndjera ngushëllimi e vlerësimi për aktorin. Politikanë, kolegë, studentë apo thjesht adhurues të artit të tij i dhanë lamtumirën aktorit që humbi jetën përballë Covid-19.

Kryeministri Edi Rama i ka dhënë lamtumirën përmes një fotografie e një fjalie të shkurtër: “Lamtumirë, i dashur mik!”.

Përmes një postimi në rrjetin social, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shkruan se me veprën e tij Radoja la gjurmë të përhershme në trashëgimin tonë artistike, kulturën kombëtare dhe kujtesën shpirtërore të shqiptarëve.

“Falë interpretimit virtuoz, talentit dhe mjeshtërisë së rrallë artistike, Guljelm Radoja u dha përjetësinë personazheve të tij, duke e lartësuar dhe e përfaqësuar denjësisht artin shqiptar, aq sa me të drejtë mund të thuhet se kinematografia shqiptare humbi sot “Petro Nini Luarasin” e saj, që aq mjeshtërisht ai e solli në filmin “Kush vdes në këmbë”. Ashtu sikundër do të jenë të paharruara për të gjithë ne edhe dhjetëra personazhet e interpretuara prej Tij për shumë dekada”, shkruan Presidenti në postimin e tij.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, po ashtu ka dërguar një mesazh ngushëllimi: “Me trishtim mora lajmin mbi ndarjen nga jeta të artistit Guljelm Radoja. Aktori i mirënjohur dhe njeriu i mirë Radoja nuk e humbi betejën me sëmundjen. Familja humbi njeriun e dashur dhe Shqipëria një artist të shquar. Por emri, vepra dhe rolet e tij nuk do të humbasin asnjëherë nga kujtesa e shqiptarëve. Do ta kujtojmë gjithmonë për kontributin e tij të spikatur si aktor dhe regjisor pranë teatrit ‘Bylis’ të Fierit dhe si aktor në teatrin ‘Aleksandër Mojsiu’ të Durrësit, si edhe për mbi tridhjetë rolet në filmat shqiptarë nga më të dashurit për publikun”, shkruan Ruçi.

“Pas një muaji luftë për jetën, u nda prej nesh aktori fisnik Guljelm Radoja. Një portret i spikatur, me një zë të ngrohtë, gdhendës karakteresh, Radoja ishte mishërimi i talentit dhe përkushtimit.

Ikja e tij lë një tjetër vend bosh aradhen e artistëve, që e ngritën në nivelet më të larta artin e aktrimit. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!”, shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Të shumta kanë qenë mesazhet e ngushëllimit nga institucionet, me të cilat ai ka bashkëpunuar, që nga Teatri Kombëtar, Teatri “Aleksandër Moisiu, Durrës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Teatri i Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” etj. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit i bën homazh aktorit përmes një galerie fotografish të rralla nga kinoprovat e filmave të ndryshëm, ku spikat “Gjeneral gramafoni”.