zoom

Bota

Çmenduri! 1 mln euro për shishen e verës që shëtiti një vit në hapësirë

Një shishe vere që orbitoi rreth Tokës për më shumë se një vit është nxjerrë në ankand dhe pritshmëritë e autorëve të këtij ankandi janë që të arkëtojnë të paktën 1 mln euro.

Shishja e markës “Petrus 2000” është me verë nga rrushi merlot në rajonin e Bordosë në Francë. Prej 14 muajsh ajo orbitoi në hapësirë rreth Tokës si pjesë e një studimi privat mbi ushqimin, pijet dhe agro-kulturën.

Ankandin e realizon kompania britanike “Christie’s”. Tim Triptree, degustator dhe njohës i mirë i verërave që punon për këtë kompani tha për BBC se së bashku me shishen “e vjetëruar” në hapësirë, blerësi fatlum do të përfitojë edhe një shishe “Petrus 2000” normale.

“Kjo bëhet në mënyrë që blerësi të jetë në gjendje që të krahasojnë dy verërat, edhe pse ato janë të së njëjtës markë dhe të së njëjtës periudhë prodhimi”, thotë Triptree.

Në nëntor të vitit 2019 një dërgesë prej 12 shishesh vere mbërriti në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Shishet u rikthyen në Tokë në janar të këtij viti, pas më shumë se 400 ditësh dhe 300 mln kilometrash të përshkruara në gravitet zero.

Mostra të verës iu vunë degustatorëve për vendosje note në muajin mars.

“Për mua është e vështirë që të them nëse është më e mirë, apo më e keqe. Por, mund të them se ishte krejtësisht ndryshe. Aroma ishte më e gjallë dhe më e fortë, dy elemente që vihen re me kalimin e viteve te vera Petrus”, rrëfeu për BBC, Jane Anson, gazetare dhe e apasionuar pas verërave.

12 shishet e verërave u dërguan në hapësirë si pjesë e projektit “WISE” një nismë private që synonte të provonte se vera mund të vjetërohet më shpejt dhe më mirë në hapësirë falë mungesës totale të gravitetit dhe të oksigjenit.