zoom

Lajme

Champions/ Gjysmëfinalja Real-Bayern, detaji pikant që favorizon gjermanët! Flasin Kane dhe Tuschel

Gjysmëfinalja si finale e parakohëshme e Champions do të jetë Real-Madrid Bayern Mynih. Në krahun tjetër vjen një mes Dortmund-PSG, me mundësi të mëdha për finale gjermane.

Por ka edhe një detaj pikant, edhe pse Reali mbetet përherë favorit në këtë kompeticion. Bayern Mynih dy trofetë e fundit të Champions i ka fituar më 2013 me Borusia Dortmund dhe më 2020, gjatë pandemisë, me PSG!

Një tjetër detaj është fakti se tekniku gjerman Tuschel i ka eleminuar madrilenët më 2021 me Chelsea, kur edhe e fitoi trofeun. Kjo do ishte finalja e tij e tretë nëse do e arrinte, në 4 vitet e fundit, pasi të parën e pati me PSG më 2020.

Mund të ishte ndeshja e tij e fundit në krye të Bayern Munich në Champions League, por Thomas Tuchel vijon ëndrrën Evropiane, mban të gjallë sezonin e Bayern duke siguruar një biletë për në fazën gjysmëfinale. Tuchel bëhet trajneri i parë gjerman që arrin në këtë fazë në krye të tre ekipeve të ndryshme, PSG, Chelsea dhe së fundmi Bayern:

“Është e jashtëzakonshme të jesh mes katër ekipeve më të mira në Evropë. Arsenal ishte një rival shumë i fortë, por ne e merituam të kualifikoheshim. I bëj komplimente ekipit”, u shpreh Tuchel për Sky Sport, duke bërë më pas dhe një koment në lidhje me të ardhmen e tij: “Unë firmosa për Bayern, por më pas drejtuesit e klubit vendosën ndryshe. Ne po japim maksimumin dhe do ta bëjmë deri në fund. Jam shumë krenar për këtë rrugëtim që kemi në Champions, jemi treguar shumë të zotë”, u shpreh ndër të tjera Thomas Tuchel.

Kjo ishte një fitore e veçantë edhe për Harry Kane, me kapitenin anglez që mban të gjallë ëndrrën për të luajtur një finale në Wembley: “Ishte një ndeshje shumë e ekuilibruar, pak edhe e çmendur. Objektivi i vetëm ka mbetur Champions, kjo të jep një ndjesi speciale. Për mua kjo sfidë kishte shumë kuptime, në një kohë kur kam luajtur për shumë vite me Tottenham. Çfarë do të thotë një finale në Wembley? Do të ishte një rrugëtim i shkëlqyer, por tani duhet të mendojmë për gjysmëfinalen. Do të ishte një ëndërr për mua të luaja në Wembley, do të bëj gjithçka për ta realizuar këtë ëndrrën”, u shpreh Harry Kane.

Sigurisht zhgënjimi është i madh në radhët e Arsenal: “Në këto momente ka shumë zhgënjim në dhomat e zhveshjes. Nga kjo sfidë morëm më shumë eksperiencë që do të na shërbej për të ardhmen. Në këto nivele marshi i gabimit është thuajse zero. Ne gabuam vetëm në një moment, në golin e pësuar. Tani duhet t’i qëndrojmë pranë lojtarëve”, u shpreh Arteta pas ndeshjes. /ZOOM.AL/