zoom

Bota

Çfarë po ndodh? Italia bllokon vaksinën AstraZeneca, Franca po mendon të bëjë të njëjtën gjë

Italia bllokoi dje eksportimin e 250,000 dozave të vaksinave kundër Covid-19, në një përshkallëzim dramatik të mosmarrëveshjes midis Bashkimit Evropian (BE) dhe AstraZeneca-s.

Sot, ministri i shëndetësisë i Francës tha se mund të bllokojë gjithashtu dërgesat e vaksinave në të ardhmen, por beson në një qasje të përbashkët evropiane.

Këto janë rastet e fundit të grindjes midis Bashkimin Europian dhe prodhuesit britanik-suedez të ilaçeve, AstraZeneca-s, kompani e cila shkurtoi numrin e dozave të vaksinës që tha se mund t’i dërgonte BE-së në fillim të vitit 2021.

Mes mosmarrëveshjeve, presidenti francez Emmanuel Macron vuri në dyshim efikasitetin e vaksinës Oxford/AstraZeneca Covid-19 për moshat mbi 65 vjeç. Disa vende europiane kanë vendosur gjithashtu një kufi të sipërm mbi moshën e marrjes së dozës, duke përmendur mungesën e informacionit të studimit klinik në lidhje me efektet e tij tek njerëzit e moshuar.

Ritmi i ngadaltë i vaksinimit në BE është kthyer në një çështje politike dhe disa shtete anëtare u janë drejtuar kombeve jashtë bllokut për të mbuluar boshllëqet në furnizimin e vaksinave. Kërkesat për ndihmë janë bërë kryesisht ndaj Rusisë dhe Kinës. Nga statistikat e të mërkurës, 3 mars, vetëm 5.5% e popullsisë së BE ka marrë një dozë të parë vaksine, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.