zoom

Slider

Çfarë na mësuan zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Elementi i parë që duhet nënvizuar në lidhje me zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara është fenomeni demokratik që kemi parë. Mes votave me postë, votimeve të parakohshme dhe radhëve të gjata përpara qendrave të votimit në të gjithë vendin, pjesëmarrja ishte shumë e lartë. Dikur kemi parë vetëm një në dy amerikanë që votonin, por kësaj here jemi afër dy të tretave. Eshtë një fakt i jashtëzakonshëm.

Mediat amerikane e komentuan me habi këtë fenomen, sikur të ishte një “risi absolute” apo edhe një “rilindje”. Ishte pothuajse si të ishe në Afrikën e Jugut për zgjedhjet e para pas përfundimit të aparteidit, ku çdo qytetar nuk donte të humbte mundësinë për të marrë pjesë në një moment të rëndësishëm në historinë e vendit.

E gjithë kjo bie ndesh me tensionet e muajve të fundit dhe me një fushatë shpesh të dhunshme dhe toksike, që i bëri njerëzit të frikësohen nga më e keqja. Ende nuk është e sigurt që e keqja është shmangur, por fenomeni demokratik është i dukshëm dhe duhet të konsiderohet pozitiv.

Nuk pati triumf blu

Vala demokratike e pritur nuk ndodhi. Ndër mësimet politike të votës amerikane, edhe para se të mësojmë emrin e fituesit, është vetëdijësimi se “Trumpizmi” nuk ka vdekur, dhe nuk do të jetë i vdekur edhe nëse Donald Trump humbet.

Votimi shpesh është përshkruar si një referendum pro ose kundër Trumpit. Joe Biden e bazoi fushatën e tij zgjedhore në refuzimin e një njeriu që konsiderohej jo i denjë për zyrën presidenciale. Në këtë pikë është e qartë se papërshtatshmëria e pretenduar e Trumpit (me të cilën pajtohen shumica e evropianëve), nuk rezultoi në triumfin blu që pritej.

Përtej demagogjisë, vulgaritetit dhe gënjeshtrave, dhe pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale, themelet e “Trumpizmit” nuk janë zhdukur dhe nuk do të zhduken: kriza e identitetit të amerikanëve të bardhë që ndihen të kërcënuar, zemërimi përpara një globalizimi që gjeneron pabarazi, mungesa e besimit në një establishment, që Joe Biden e mishëron në përsosmëri.

Trumpizmi tejkalon personalitetin e Trumpit dhe ky është problemi që kemi pasur gjatë katër viteve të fundit në analizimin e situatës në Shtetet e Bashkuara. Personaliteti i Trumpit është aq i diskutueshëm, i karikaturuar dhe shpesh i huaj për zakonet tona politike, saqë na bën të harrojmë atë që presidenti ka mishëruar që nga fushata zgjedhore 2016: sintezën e zemërimeve të ndryshme të amerikanëve. Rezultatet e para tregojnë se as menaxhimi katastrofik i pandemisë dhe as kriza ekonomike dhe sociale, nuk e kanë ndryshuar këtë identifikim.

I njëjti zemërim, të mos harrojmë, gjendet në të gjithë botën, edhe pse Trump ka një dimension të veçantë amerikan. “Trumpizmi përtej Trumpit” bën jehonë në Evropë dhe gjetkë, në përparimin e populistëve dhe tundimet “joliberale”.

Prandaj, Shtetet e Bashkuara na ofrojnë një pasqyrë deformuese të botës, mes impulseve demokratike dhe zemërimit të përhapur. Mbetet të shihet se kush do të jetë presidenti i ardhshëm. Zgjedhja do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme në botën në të cilën jetojmë, për mirë ose për keq. / France Inter – Bota.al