zoom

Aktualitet

Çfarë fshihet pas? Djegia e makinës në Krujë, pronarit i vranë dhe i groposën vëllanë 3 vite më parë

Një automjet është djegur mbrëmjen e kaluar në Krujë. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës tha zyrtarisht se janë shoqëruar 6 persona për ngjarjen. Mësohet se makina është në pronësi të shtetasit Sahit Hysa, i cili mbrëmjen e kaluar kishte shkuar për darkë te motra e tij.

Makina ndodhej e parkuar në oborrin e banesës së motrës, kur persona të paidentifikuar kanë hyrë dhe i kanë vënë flakën.

Ndërkohë mësohet se Hysa është vëllai i Elion Hysës nga fshati Gjorm, i cili u gjend i vrarë dhe i groposur në Nikël më 14 korrik 2018, teksa pas vrasjes së tij qëndron një tjetër vrasje e ndodhur në vitin 2015 në Sarandë.

Policia dyshon se ngjarja është e qëllimshme dhe për këtë arsye janë sekuestruar dhe pamjet e kamerave të sigurisë.