zoom

Politikë

Çështja Beleri/ Media greke: Athina s’është dakord me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Greqia nuk do të pranojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian pas përplasjeve diplomatike për çështjen e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, raportojnë burime për median greke ekathimerini.

“Qëndrimi grek i komunikuar palës shqiptare thekson një lëvizje të qartë drejt rivendosjes së vullnetit politik të elektoratit himarjot”, shkruan ekathimerini.

Çështja në Greqi konsiderohet si një vendim politiko-administrativ, jo një çështje pavarësie gjyqësore. Athina zyrtare ka kërkuar që Beleri të lejohet të betohet si kryebashkiak dhe të ushtrojë të drejtat politike.

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së diskutoi të martën çështjet e zgjerimit, duke përfshirë shkëputjen e mundshme të pranimit të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Udhëheqësit e BE-së, në projekt-konkluzionet e tyre të Samitit, përsëritën angazhimin për integrimin e Ballkanit, duke kërkuar një proces të përshpejtuar pranimi.

Negociatat e Bosnje-Hercegovinës do të fillojnë me plotësimin e kritereve, siç udhëzohet në projekt-konkluzionet.

Kujtohet se të hënën kërkesa e Belerit për një leje të posaçme për betimin si kryetar bashkie u rrëzua nga Apeli i GJKKO-së. Beleri është arrestuar që prej muajit maj i dyshuar për blerje votash.

Samiti i BE

Në Bruksel do të zhvillohet ditën e sotme samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor, ku do të diskutohet për integrimin e vendeve.

Nga 27 vendet e BE-së, Greqia është i vetmi shtet që nuk ka firmosur dokumentin e përbashkët për hapjen e pesë kapitujve themelorë të negociatave, duke kërkuar fillimisht betimin e Fredi Belerit si kryetar bashkie të Himarës.

Data konkrete për anëtarësimin e Shqipërisë, të Serbisë, të Malit të Zi apo të Maqedonisë së Veriut nuk do të përmenden.

Me këto katër shtete Komisioni i BE-së po negocionon për përshtatjen e legjislacionit, shtetëndërtimit dhe praktikave qeverisëse sipas normave të BE-së.

Presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel në një fjalim në Bled të Sllovenisë u shpreh për një afat antarësimi në vitin 2030.

Por këtë afat BE asnjëherë nuk e ka përfshirë zyrtarisht në deklaratat e samiteve të veta. Kancelari gjerman Olaf Scholz ka kërkuar rritjen e shpejtësisë për procesin e zgjerimit, po as ai nuk është shprehur konkretisht.