zoom

Lajme

“Çeliku dhe Zjarri”/ Historia e Sedat Ademit, Kovaçit të Kukësit

ERGISA MURATAJ

Në një qytet të vogël që dikur kishte gjallërinë e një komuniteti të përkushtuar ndaj tokës dhe punës me dorë, jeton Sedat Ademi, një nga mjeshtrat e fundit të kovaçisë në Kukësin e Vjetër. I biri i Osman Ademit, Sedati vjen nga një familje me origjinë të hershme nga Prizreni, ku ky zanat është mbajtur gjallë për breza të tërë. Të jetosh në Kukës, një qytet i ndërtuar në brigjet e Drinit dhe i njohur për qëndresën dhe traditat e tij, ka pasur një ndikim të madh në formimin e karakterit të Sedatit dhe në përkushtimin e tij për kovaçhanen.

Familja Ademi, prej disa brezash, është e lidhur pazgjidhshmërisht me artin e përpunimit të metalit. Babai i tij, Osman Ademi, dhe paraardhësit e tij nga Prizreni kanë qenë të njohur si mjeshtra të mëdhenj të veglave bujqësore dhe mjeteve të punës. Trashëgimia e tyre është ruajtur në dorëzimet e heshtura të zanatit nga babai te biri, duke kaluar çdo njohuri dhe çdo teknikë të mësuar gjatë viteve.

“Zanatin e kam nisur në moshën 17 vjeçare. E kam nisur, sepse e pashë babain tim duke punuar në kovaçhanën tonë, dhe m’u duk si diçka që duhet ta provoja. Ishte një lidhje e natyrshme,” tregon Sedati, ndërsa reflekton mbi fillimet e tij. Në atë kohë, ai nuk e kishte menduar kurrë që do të mbetej ndër kovaçët e fundit në Kukës, duke mbajtur gjallë një zanat që, për breza të tërë, ishte qendra e jetës ekonomike dhe shoqërore të qytetit.

Të fillosh zanatin e kovaçisë në moshë të re është një sfidë e madhe. Sedati kujton me nostalgji ditët kur merrte mësime nga babai i tij në kovaçhanën e vogël që kishin në Kukësin e Vjetër, para se të zhvendoseshin në qytetin e ri pas përmbytjes së qytetit të vjetër nga ndërtimi i hidrocentralit. Ishte një periudhë kur jeta ishte më e ngadalshme dhe puna manuale vlerësohej. Çdo vegël e prodhuar kishte një histori, një lidhje mes mjeshtrit dhe përdoruesit të saj.

Kovaçhanja ishte vendi ku mblidheshin njerëzit, jo vetëm për të blerë vegla, por edhe për të ndarë histori dhe për të mësuar rreth teknikave të reja të punës. “Isha i ri, por ndjeja që po bëja diçka të rëndësishme. Çdo goditje me çekiç më afronte më shumë me zanatin,” thotë Sedati. Vitet e para të punës ishin të mbushura me sfida, por me kalimin e kohës, Sedati filloi të zhvillojë mjeshtërinë e tij. Çdo vit që kalonte, ai arrinte të kualifikohej në kategoritë e larta të zanatit, duke marrë certifikata dhe njohje për aftësitë e tij të jashtëzakonshme.

“Çdo goditje çekiçi më bëri më të fortë në zanat,” thotë ai me krenari. “Nuk ka asnjë gjë që nuk mund ta bëj, mjafton të zgjedh çelikun e duhur.” Çeliku, për Sedatin, është thelbi i çdo punimi të mirë. “Pa çelik, nuk ka kovaçhanë,” vazhdon ai, duke përshkruar procesin e përzgjedhjes së çelikut, një nga pjesët më të rëndësishme të punës së tij. Ai e blen çelikun në Kukës, e më pas e provokon në zjarr për të testuar cilësinë e tij. Për një mjeshtër si Sedati, cilësia e materialit mund të kuptohet edhe nga ngjyra e ujit gjatë ftohjes.

Për Sedatin, puna me metalet dhe zjarri janë më shumë sesa thjesht një mënyrë për të fituar jetesën; janë një mënyrë jetese. Ai është i lidhur emocionalisht me zanatin, pasi është diçka që i është trashëguar dhe që ai ka punuar me përkushtim të plotë gjatë gjithë jetës së tij. “Që nga dita e parë që kam nisur punën, nuk jam ndarë asnjëherë nga çekiçi. Jam 61 vjeç dhe ende nuk kam ndalur,” tregon ai. Çekiçi, si vegël, përfaqëson lidhjen e tij me zanatin dhe me gjithë atë që përfaqëson kovaçhanja – një vend ku krijohet dhe punohet me përkushtim.

Kovaçhanja e Sedatit është vendi ku për më shumë se 25 vjet ai ka prodhuar vegla bujqësore, plugje, sëpata dhe mjete të tjera të rëndësishme për jetën e përditshme të fermerëve dhe punëtorëve të tokës. “Asnjë punim nuk është i vështirë për mua,” thotë Sedati. “Duhet vetëm të dish se si të zgjedhësh çelikun dhe vegla do të dalë e mirë.” Kjo aftësi për të kontrolluar cilësinë e punës është një nga arsyet pse Sedati ka arritur të mbajë klientelën e tij besnike, edhe pse kohët kanë ndryshuar dhe zanatet e vjetra janë zbehur.

Edhe pse numri i klientëve ka rënë ndjeshëm vitet e fundit, Sedati ka mbetur një nga emrat e njohur të Kukësit kur bëhet fjalë për cilësi. “Shumë njerëz vijnë tek unë pasi kanë blerë vegla në treg dhe janë zhgënjyer,” tregon ai. “Veglat e fabrikuara nuk kanë të njëjtën cilësi. Ato bëhen shpejt dhe shpesh nuk zgjasin.” Kovaçhanja e Sedatit është një përjashtim nga kjo tendencë, sepse çdo vegël që ai prodhon është bërë me dorë dhe me një përkushtim të veçantë për cilësinë dhe detajet.

“Ata vijnë këtu pas disa ditësh dhe më thonë se vegla që kanë blerë nuk ka funksionuar mirë,” tregon ai. “Unë u them, veglat që bëj unë janë me garanci. Çdo vegël që del nga kjo punishte është e fortë, është bërë për të zgjatur.” Sedati, me përvojën e tij, e di se një vegël e mirë nuk bëhet vetëm nga një çelik i mirë, por edhe nga puna e kujdesshme dhe e dedikuar. “Kur godet metalin me dorë, ti ndjen çdo pjesë të tij. Kjo është diçka që makineritë nuk mund ta bëjnë.”

Kovaçhanja e Sedatit është një simbol i fundit të një epoke. “Unë jam i fundit në familje që merrem me këtë punë,” tregon ai me një ton melankolik. “Babai, gjyshi, axhallarët e mi, të gjithë kanë qenë kovaçë. Por djali im nuk e pati me dëshirë këtë punë.” Brezi i ri nuk e sheh më zanatin e kovaçisë si një perspektivë për të ardhmen, dhe kjo për Sedatin është një humbje e madhe. “Do të vijë dita që njerëzit do të duhet të shkojnë në Prizren për vegla, sepse këtu nuk do të ketë më kovaçë.”

Vitet e fundit kanë qenë të vështira për zanatin e kovaçisë në Kukës. Jo vetëm që klientela ka rënë, por edhe kushtet ekonomike kanë ndryshuar. “Puna me tokën nuk është më e leverdisshme. ShumicaShumica e njerëzve kanë ikur jashtë vendit ose nuk kanë më tokë për të punuar.” Për një njeri që e ka kaluar jetën duke krijuar vegla për fermerët, kjo është një humbje e madhe. “Unë dal në punë edhe pse jam me kemp,” thotë ai. “Nuk mund të qëndroj pa punuar.”

Një nga sfidat më të mëdha është furnizimi me materiale. “Çeliku është thelbësor, por tani e marrim me shumë vështirësi. Çmimet janë rritur dhe furnizimet janë të pakta. Qymyri që përdorim për të nxehur metalin tani blihet në Elbasan, por është shumë i shtrenjtë – 150 lekë për kilogram,” tregon Sedati. Për një mjeshtër si ai, çmimet e larta të materialeve përbëjnë një sfidë të vazhdueshme për të vazhduar zanatin.

Pavarësisht të gjitha këtyre sfidave, Sedati vazhdon të mbetet i përkushtuar ndaj zanatit të tij. Zëri i tij përforcohet nga përvoja dhe nga lidhja e thellë që ai ka me kovaçinë. “Babi më thoshte çdo ditë se në kovaçhanë mëson diçka të re. Çdo ditë është një mundësi për të përmirësuar zanatin,” thotë Sedati me krenari. “Kur i jep çelikut ujin e duhur, ai bëhet aq i fortë sa nuk i ndodh asgjë.”

Kjo filozofi e të mësuarit dhe e përmirësimit të vazhdueshëm është ajo që e ka mbajtur Sedatin në këmbë gjatë gjithë këtyre viteve. Mjeshtëria e tij, ndonëse përballë sfidave të shumta, mbetet një testament i përkushtimit dhe dashurisë për një zanat që për shumicën është në prag të zhdukjes.