zoom

Politikë

Celibashi, numëruesve: S’ka më lojëra me vonesat për nxjerrjen e rezultatit

Komisioneri Shtetëror, drejtuesi i KQZ-së, Ilirjan Celibashi në konferencën e sotme për shtyp deklaroi se sot mbërrijnë fletët e votimit në qarqet Tiranë, Durrës.

Ndërsa ka paralajmëruar komisionerët dhe veçanërisht numëruesit e votave në lidhje me vonesat që mund të bëjnë si lojra për të bllokuar shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, foli për hapjen e kutive të votimit të 25 prillit, nëse një gjë e tillë do të kërkohet nga një subjekt politik. Ai theksoi se kushdo që do të kërkojë hapjen e kutive, KQZ do t’i hapë dhe do të bëjë vlerësimin e tyre.

Sipas Celibashit, nëse rezultati i këtyre fletëve nuk do të jetë i njëjtë me atë të dalë më parë, do të përballen me sanksione të rënda 1 deri në 7 vite burg përgjegjësit.

“Ka një gjë që dua ta sjell në vëmendje. Me dispozitat e reja të Kodit Zgjedhor është sanksionuar e drejta e çdo subjekti, që qoftë dhe pa asnjë arsye apo shkak të kërkojë hapjen e kutive të votimit dhe të bëhet vlerësimi ose këqyrja e fletëve të votimit për të parë nëse votat janë në përputhje me rezultatin, që kanë konfirmuar komisionerët apo jo. Nëse do të rezultojë e kundërta, ata që do jenë përgjegjës për këtë, ka penalitet shumë të rënda, 1 deri në 7 vite burg. Dua ta theksoj këtë për t’i hequr çdokujt interesin dhe dëshirën që gjatë procesin të nxjerrjes së rezultatit të demonstrojë në tabelën e rezultatit një rezultat të ndryshëm. Pasi kushdo që do të kërkojë hapjen e kutive të votimit, KQZ do t’i hapë ato fletë dhe do të bëjë rivlerësim të tyre”, tha Celibashi.

Ai theksoi se duhet të marrin fund lojërat politike me komisionerët dhe se ata duhet të jenë vetë të bindur se kjo gjë nuk është mundur.

“Ne jemi përpjekur dhe po vazhdojmë që rezultatin ta kemi brenda 48 orëve, koha dhe procedura që ne kemi përfshirë në aktet tona normative, e mundësojnë këtë, natyrshëm që duhet të llogarisim edhe vullnetin e komisionerëve Jama i sigurt se qoftë partitë dhe komisionerët e kanë kuptuar se tashëm nuk do ta kenë luksin që të bëjnë lojra në lidhje me nxjerrjen e rezultatit. Nëse do të ketë raste që komisioneëit do të sillen në kundërshtim me ligjin ne nuk do ta kursejmë atë të cilësdo parti të jetë. Kjo alleshverishja (pazari) duhet të marrë fund”, tha ai.