zoom

Ekonomi

Buxheti i vitit 2022: Qeveria shqiptare rrit borxhin publik

Qeveria shqiptare ka rritur projeksionet për borxhin publik në buxhetin  e shtetit për vitin 2022 ku sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave stoku i borxhit publik vlerësohet të arrijë  në  1 472 492 milionë lekë ose  9% më shumë se viti paraardhës. Rritja e borxhit shfaqet në një kohë që Europa po përballet me një valë të re mbylljeje prej pandemisë e cila mund të prekë Shqipërinë dhe sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë.

Në ndryshim nga viti i kaluar kemi zvogëlim të defiçitit buxhetor me 9,2 %.

Të ardhurat nga tatimet u rritën me 8.76 % për këtë vit ndërsa shpenzimet janë rritur me 9,2% krahasuar me 2021. Edhe pse këtë vit numri i vdekjeve nga Covid-19 në Shqipëri  ka qënë më i larti në Europë në bazë të numrit të popullsisë sipas INSTAT, qeveria shqiptare nuk ka rritur shpenzimet në sektorin e rimbursimit të ilaçeve dhe të Covid-19 e cila është një barrë e shtuar për familjes shqiptare.

Të ardhurat për këtë vit kanë shënuar rritje me 9% krahasuar me vitin e kaluar ku lehtësimi i masave kufizuese ka sjellë rritje të qarkullimit të të ardhurave e cila lidhet me  inflacionin që erdhi në rritje gjatë tremujorit të tretë të 2021 sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, duke shënuar një vlerë mesatare prej  2.4%.  Rritja  e  tij  pasqyron  efektin  e  rritjes  së  çmimeve  të  produkteve  ushqimore, të naftës dhe të energjisë në tregjet botërore duke ekspozuar brishtësinë  e ekonomisë shqiptare ndaj tregjeve ndërkombëtare.

Koncesionet vazhdojnë të marrin pjesën më të rëndësishmë të PBB-së të Shqipërisë ku sipas raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, proceset për PPP-të dhe projektet e financuara nga buxheti duhet të harmonizohen pasi nga 33 % PBB-së që zinin në 2018 ato mund të shkojnë në 50%. Dhe FMN  pati të drejtë në parashikime sepse për buxhetin e 2022 ato zënë 45.6 % të PBB-së së vendit.

Mungesa e të dhënave të qarta për ekspozimin e vërtetë të qeverisë ndaj PPP-ve është një sfidë kryesore sipas FMN-së. Rreziqet fiskale i shtojnë edhe skemat e garancisë së qeverisë për sektorin privat në diskutim dhe mbështetja e ndërmarrjeve shtetërore, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, nga garancitë sovrane (të cilat janë në rritje) dhe mbështetja buxhetore me ndërprerje. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të rifuqizohen reformat e sektorit të energjisë elektrike dhe të ujit që janë vonuar vitet e fundit të cilat me krizën botërore të energjisë dhe përmbytjet natyrore në vend janë kthyer në domosdoshmëri. /Armand Kullau – Zoom.al