zoom

Bota

Brazili bllokon mbi 20 mln vaksina kineze/ Të prodhuara në fabrikë të paautorizuar

Rregullatori brazilian i shëndetit, Anvisa njoftoi në fundjavë bllokimin e përkohshëm të mbi 12 milionë dozave të vaksinës Sinovac pas sinjalizimeve se ato ishin prodhim i një fabrike të paautorizuar.

Anvisa tha përmes një deklarate se bllokimi u bë me kërkesë të Institutit Butantan në Sao Paolo, një qendër biomjekësore në Brazil që ka një marrëveshje me kompaninë kineze Sinovac për të shpërndarë vaksinën CoronaVac në vend. Butantan tha se 12.1 milionë dozat e pezulluara ishin prodhim i një fabrike të paautorizuar nga kompania kineze, pa dhënë më shumë detaje.

“Fabrika e ambalazhimit nuk është inspektuar, miratuar dhe autorizuar nga Anvisa për përdorim emergjent të vaksinave në fjalë. Bllokimi është në masë paraprake për të shmangur ekspozimin e popullatës te një kërcënim i mundshëm”, tha Anvisa.

Përveç sasisë në fjalë të bllokuar në Brazil, edhe 9 milionë doza të tjera që janë rrugës për të mbërritur në këtë vend janë prodhim i së njëjtës fabrikë. Bllokimi i vaksinave është bërë për një periudhë maksimale prej 90 ditësh.

Në këtë kohë, autoritetet braziliane do të përpiqen që të inspektojnë fabrikën dhe të zbulojnë më shumë mbi cilësinë e vaksinave dhe sigurinë e tyre.

Programi i vaksinimit të Brazilit bazohet në pjesën më të madhe të tij te vaksinat kineze. Vendi amerikano-latin njoftoi të shtunën rreth 22 mijë raste të reja dhe 692 vdekje. Ai mbetet një prej vendeve me numrin më të madh të vdekjeve në botë.