zoom

Bota

Bota në alarm! Ç’dihet deri tani për “Mu”, variantin më të ri të Covid-19

Pas Delta-s, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar praninë e një tjetër varianti të Covid-19, i ashtuquajturi varianti “Mu”. Ky variant iu shtua listës së mutacioneve më 30 gusht pasi prania e tij u konfirmua në 39 vende. Shqetësimi i ekspertëve në lidhje me llojin e ri të virusit është se mund të jetë rezistent ndaj imunitetit të krijuar tek njerëzit që kanë kaluar infeksionin ose janë vaksinuar.

I identifikuar për herë të parë në janar në Kolumbi, OBSH e ka klasifikuar ‘Mu’ si “variant me interes”, duke shprehur shqetësimin se mutacionet e këtij virusi mund ta bëjnë imunë ndaj vaksinave, por duke shtuar se duhen më shumë studime për ta kuptuar më mirë.

Aktualisht, shkencëtarët janë të “etur” për të ditur nëse ky variant është më i transmetueshëm se Delta, nëse shkakton simptoma më serioze apo numër më të lartë fatalitetesh.

Të gjitha viruset, përfshi dhe SARS-CoV-2 i cili shkakton Covid-19, pësojnë mutacione me kalimin e kohës. Disa prej tyre mund të kenë ndikim edhe në vetitë e virusit, si përshembull në mënyrën sesa shpejt përhapet, sjelljen e formave më të rëndë të sëmundjes, rezistenca ndaj vaksinave, barnave dhe masave të tjera parandaluese.

Të paktën 32 raste të variantit Mu janë konfirmuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe besohet se infeksioni në të shumtën e rasteve ka ardhur prej udhëtimeve nga jashtë dhe kryesisht tek persona në të 20-at e tyre. Disa prej atyre që kanë rezultuar pozitivë ndaj “Mu” ishin plotësisht ose pjesërisht të vaksinuar.