zoom

Bota

Borrell: Spanja e Irlanda do njohin shtetin e Palestinës! UNRWA: 11 mijë banorë u larguan nga Rafah

Spanja, Irlanda dhe vende të tjera anëtare të Bashkimit Evropian planifikojnë ta njohin një shtet palestinez më 21 maj, tha përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, të enjten vonë.

Në mars, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, kishte thënë se Spanja dhe Irlanda, së bashku me Slloveninë dhe Maltën, ishin pajtuar për t’i ndërmarrë hapat e parë drejt njohjes së një shteti palestinez përkrah shtetit izraelit, duke nënvizuar se zgjidhja me dy shtete është thelbësore për paqe afatgjate.

I pyetur nga radioja spanjolle RNE, nëse 21 maji është dita kur Spanja, Irlanda dhe vendet e tjera anëtare do ta njihnin një shtet palestinez, Borrell tha “po”, duke e përmendur edhe Slloveninë. “Ky është një veprim simbolik i natyrës politike. Me shumë se njohjen e një shteti, kjo ka të bëjë me vullnetin që ai shtet të ekzistojë”, tha Borrell, duke shtuar se Belgjika dhe vende të tjera me gjasë do ta ndjekin këtë hap, gjithashtu.

Më herët, ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, kishte thënë se vendi i tij kishte vendosur tashmë ta njohë një shtet palestinez, po pa treguar se kur saktësisht. Thirrjet për një armëpushim dhe për një përfundim të përhershëm të konfliktit palestinezo-izraelit janë rritur, posaçërisht pas rritjes së numrit të viktimave si pasojë e luftës së Izraelit në Rripin e Gazës kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE. Izraeli ka thënë se planet për njohjen e Palestinës përbëjnë “vlerësim për terrorizëm” dhe se kjo do t’i kufizonte mundësitë për zgjidhjen e konfliktit në Gazë përmes bisedimeve.

Të premten, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pritet ta mbështesë kërkesën e palestinezëve për t’u bërë vend anëtar me të drejta të plota i OKB-së, dhe ta dërgojë atë në Këshillin e Sigurimit për “rishqyrtimin e kësaj çështjeje pozitivisht”. Transmetuesi shtetëror i Irlandës, RTE, raportoi të enjten se Spanja, Irlanda, Sllovenia dhe Malta kanë qenë duke e pritur votimin e OKB-së dhe se kanë menduar ta njohin së bashku atë më 21 maj. Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, tha në fillim të kësaj jave vendi i tij do ta njohë shtetësinë e Palestinës deri kah mesi i qershorit. Prej vitit 1988, 139 nga 193 vende anëtare të OKB-së e kanë njohur shtetësinë e Palestinës.

UNRWA: Rreth 110 mijë banorë janë larguar nga Rafahu

Ndërkohë kriza në Gaza bëhet më e rëndë. Rreth 110 000 banorë janë larguar nga Rafahu, në jug të Rripit të Gazës që kur ushtria izraelite mori nën kontroll pikën kufitare në qytet, tha sot Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA).

“UNRWA vlerëson se rreth 110 000 njerëz kanë ikur nga Rafahu duke kërkuar siguri”, tha agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë në një postim në platformën X.

“Por, asnjë vend nuk është i sigurt në Rripin e Gazës dhe kushtet e jetesës janë mizore”, tha OKB. “Shpresa e vetme është një armëpushim i menjëhershëm”, thuhet në postim. Sipas autoritetit kufitar palestinez, vendkalimi kufitar i Rafahut me Egjiptin mbetet i mbyllur për dërgesat e ndihmave humanitare. Ushtria izraelite tha se trupat ishin ende të dislokuara në lindje të Rafahut dhe në Al-Saitun në qendër të Rripit të Gazës.

Të hënën, ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të pjesës lindore në Rafah që të largoheshin nga zona. Më shumë se 1 milion persona të zhvendosur brenda vendit thuhet se jetojnë në Rafah. Partnerët perëndimorë të Izraelit, kryesisht SHBA-ja, kanë paralajmëruar qeverinë izraelite për rrezikun e operacionit ushtarak në shkallë të gjerë në Rafah për shkak të pasojave të pritshme dramatike humanitare.

Pas masakrave në Izrael më 7 tetor, Izraeli kërkon të shkatërrojë plotësisht lëvizjen islamike palestineze Hamas, liderët e së cilës dyshon se fshihen në tunele nën Rafah, ku me sa duket mbahen edhe pengjet izraelitë. /ZOOM.AL/