zoom

Aktualitet

“Bomba” e Monika Kryemadhit përfundon në tullumbace

Ajo cfarë premtoi se do të ishte një “bombë” përfundoi në një tullumbace. Monika Kryemadhi kishte premtuar se do t’i tregonte Edi Ramës “fabrikën e parave” dhe për këtë kërkoi një emision të posacëm në “Opinion” këtë të mërkurë. Por përgjatë gjithë emisionit ajo nuk tregoi asgjë më shumë sesa si institucionet kishin përpiluar një mal me shkresa për koncesionin e inceneratorit të Tiranës. 

“Nuk ka pasur leje ndërtimi, i ka dhënë bashkia e Tiranës 1 miliardë e 500 milionë lekë pa pasur leje ndërtimi”, tha Kryemadhi. 

Por drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, iu drejtua me ironi duke i thënë: “po na bën të besojmë që kemi qeveri të mirë”. 

Më pas, Kryemadhi tha se shkelje ishte shpallja në një media ndërkombëtare e thirrjes për tenderin. Sipas saj publikimi ka ndenjur vetëm 16 ditë, në vend që të rrinte 45 ditë sic e thotë ligji. 

Por Plarent Ndreca, një jurist nga radhët e Partisë Socialiste, ia hodhi poshtë akuzën, duke thënë se 45 ditëshi ishte afati nga dërgimi i kërkesës në median ndërkombëtare deri në ditën e publikimit. 

Më tej ajo tha se skandal ishte fakti që babai i Alqi Bllakos, drejtorit të përgjithshëm të AKUM, merrte një pagë prej 10 milionë lekësh në muaj. 

E gjithë bomba e paralajmëruar rezultoi në fund në një procedurë normale, të paktën kjo u la të kuptohet nga ajo cfarë paraqiti Kryemadhi.  

Emisioni ku kryetarja e LSI publikoi dosjen vazhdoi për 1 orë e 40  minuta, por ajo jo vetëm që nuk mundi të nxjerrë ndonjë shkelje skandaloze të kësaj cështje, por zhvlerësoi edhe akuzat e deritanishme ndaj inceneratorëve, aq sa të pranishmit në studio ironizuan duke thënë se Kryemadhi tregoi se sa mirë ka punuar qeveria. /Zoom.al