Aplikacion
Kështu titullohet artikulli i Bloomberg për Tiranën. “Gjatë dekadës së ardhshme, Tirana është gati për një ndryshim dramatik. Në qendër të kryeqytetit shqiptar, ndërtesat moderne të larta po zënë vendin e ndërtesave historike, sipas një plani të quajtur Tirana 2030.”
Qeveria thotë se qëllimi i saj është kthimi i Tiranës në një qytet me të gjelbër, me korsi biçikletash, më shumë automjete elektrike dhe zona të pyllëzuara që rrethojnë qendrën.
Në artikull thuhet se “Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra të Evropës, me një GDP për frymë që është rreth 30% e mesatares së Bashkimit Evropian.”
“Tirana është një qytet që rritet me rreth 30,000 banorë në vit, pra pyetja është si ta planifikojmë këtë rritje në mënyrë të qëndrueshme”, thotë kryebashkiaku Erion Veliaj, anëtar i Partisë Socialiste në pushtet. “
“Mendoj se kemi thyer mitin se vetëm qytetet e pasura mund ta bëjnë këtë.”
Bloomberg shkruan se “me rrokaqiejt që rriten si kërpudha në të gjithë qytetin dhe disa ndërtesa historike kryesore tashmë të shkatërruara kritikët e planit janë të shqetësuar.”
“Arkitektët, akademikët dhe aktivistët thonë se rrënimi po çon në një humbje të historisë, duke rritur çmimet e banesave dhe ndoshta edhe duke funksionuar si një operacion pastrimi parash për krimin e organizuar.”
Sheshi Skënderbej është tashmë në qendër të ndryshimeve të qytetit. Më parë ishte një nga rrethrrotullimet më të frekuentuara të qytetit. Teatri Kombëtar i Shqipërisë, i ndërtuar në vitin 1938 dhe i konsideruar si një shembull i jashtëzakonshëm i futurizmit italian, u shkatërrua në maj 2020 pas një qëndrese 2-vjeçare nga aktivistët, për t’i hapur rrugë një teatri më të ri dhe më të madh.
Planet për rinovimin e qendrës së qytetit u zbuluan për herë të parë në vitin 2016 me emrin Tirana 2030.
Joni Baboci, këshilltar i kryetarit të bashkisë për planifikimin dhe arkitekturën, thotë se qëllimi ishte “riimagjinimi i Tiranës territoriale”.
Për t’i hapur rrugë këtij ndërtimi të ri, ndërtesat ekzistuese po prishen. Zhvillimi i rastësishëm i Tiranës ka bërë që objektet si këndet e lojërave dhe parqet të jenë të pakta. Por kritikët thonë se zhvillimet e deritanishme nuk i plotësojnë kriteret e veta dhe se shumë prej tyre po ndërtohen pa ndonjë plan të qartë.
Nisur nga ekonomia e dobët e vendit, ka edhe shqetësime se nga vijnë paratë për këto zhvillime.
Sipas një numri ekspertësh, vendi është bërë një vend i preferuar për kriminelët ndërkombëtarë për të pastruar paratë e tyre.
“Prokurorët antimafia në Itali zbuluan se sindikata e krimit Ndrangheta e kishte identifikuar ndërtimin e ri të Tiranës si një mundësi pastrimi,” thuhet në artikull.
Task Forca e Veprimit Financiar (FAFT), një mbikëqyrës global i pastrimit të parave, e ka vendosur Shqipërinë në “listën gri”, që do të thotë se konsiderohet me rrezik të lartë për pastrim parash për shkak të dobësive në sistemet e saj.
Pavarësisht nga burimi i parave, rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme po i bën banesat më pak të përballueshme.
Çmimet e pronave në Tiranë u rritën me rreth 6% që nga viti 2020, ndërkohë që ekonomia e përgjithshme u tkurr pothuajse në të njëjtën masë për shkak të pandemisë.
Një mburojë e lartë raketore izraelite po “shkon” drejt Evropës, ku kërcënimi rus rritet