zoom

Ekonomi

Bizneset: Të shtyhet afati për regjistrimin e pronarëve ‘Offshore’

Bizneset kërkojnë shtyrjen e periudhës për regjistrimin e pronarëve fundorë të kompanive offshore, pasi po hasin vështirësi me ngarkimin e të dhënave në sistem, por autoritetet janë të vendosura për të lënë si afat të përfundimtar në fundin e këtij muaji.

Përmes një njoftimi, Qendra Kombëtare e Bizneseve u kërkon të gjitha shoqërive tregtare, edhe nëse nuk janë offshore, që të regjistrojnë të dhënat identifikuese të individit që kontrollon i fundit ndërmarrjen, deri në 25% të totalit të kuotave të entitetit, ndërsa ky regjistrim do të jetë detyrues edhe për organizatat jo fitimprurëse, duke përfshirë dhe ndërmarrjet me status pasiv.

Gjoba për mosdeklarimin e këtyre të dhënave është 500 mijë Lekë.  11 shoqata biznesi shqiptare dhe të huaja, kanë kërkuar shtyrjen sidomos për problemet e ndërmarrjeve të huaja dhe paqartësive në mënyrën e raportimit sidomos për kompanitë në formën e trusteve dhe ato të regjistruara në bursë.

Por edhe për këto lloj shoqërish, autoritetet kërkojnë deklarimin e përfituesve fundorë në masën 25% të aksioneve, përndryshe do të penalizohen.

Një pjesë e mirë e kompanive “guackë” në vendin tonë, pronarët e të cilëve janë sekretë, kanë kontrata miliona Dollarëshe për koncesione në fusha të ndryshme, e një pjesë tjetër operojnë në sektorë strategjikë, pa bërë publikë emrat e përfituesve të vërtetë të tyre.

Nisma ligjore u rekomandua nga Bashkimi Europian si pjesë e luftës kundër pastrimit të parave, dhe u mbështet fort nga njësia Moneyval.