Aplikacion
Teksti: Oliverda Allmuça / Foto: Joni Vorpsi
LUFTA PËR LUMENJTË E FUNDIT TË EGËR NË EUROPË
Lumenjtë e Bosnje dhe Hercegovinës, ndër më të pasurit ekologjikisht në Evropë, po përballen çdo ditë me kërcënime serioze për shkak të ambicieve të pakontrolluara të sektorit privat, duke vënë në rrezik një nga dhuratat më të çmuara të natyrës.
“Bosnja ka mbi 250 lumenj, secili me pasuri tw shumta tw biodiversiteti, por ata janë nën sulm nga projektet e hidrocentraleve”, thotë Vladimir Topić, ekspert pranë Qendrës për Mjedisin (CZZS) në Banja Luka.
Fushata për mbrojtjen e këtyre lumenjve filloi si aktivizëm bazë, i mbështetur nga kërkime shkencore.
“Fokusi ynë ka qenë të evidentojmë vlerën ekologjike të lumenjve si Neretva, që strehon specie unike, përfshirë katër varietete vendase të troftës,” shpjegon Topić.
Megjithatë, sfidat janë të shumta. Hidrocentralet shpesh aprovohen mbi bazën e studimeve mjedisore të vjetruara dhe pa vlerësime të duhura të ndikimit.
“Në shumë raste, trajektoret qw ndjekin zakonisht peshqit dështojnë pasi nivelet e ujit ndryshojnë drastikisht, duke vënë në rrezik të gjithë ekosistemet,” paralajmëron ai.
Një shembull kritik është hidrocentrali Ulog në lumin Neretva.
“Ndryshimet e përditshme të niveleve të ujit, shkaktuar nga operacionet në kulm, kanë shkatërruar habitatet e troftave, dhe ekziston një rrezik real për humbjen e tre specieve vendase,” thekson Topić.
Megjithë këto sfida, komunitetet lokale kanë treguar se janë një forcë e fuqishme për të ndaluar zhvillimet e dëmshme.
“Në lumin Vrbas pranë Banja Lukës, banorët ndaluan me sukses ndërtimin e dy hidrocentraleve të mëdha përmes padive, konsultimeve publike dhe avokimit ndërkombëtar,” kujton ai.
Një tjetër fitore kyçe u arrit në lumenjtë Buna dhe Bunica, ku përpjekjet e vazhdueshme të komunitetit dhe veprimet ligjore ndaluan projektet e planifikuara të hidrocentraleve. Sipas Topić, këto suksese nënvizojnë rëndësinë e përfshirjes lokale.
“Komunitetet kanë treguar se mund të luftojnë dhe të mbrojnë lumenjtë e tyre,” thotë ai.
Megjithatë, Bosnja mbetet larg përmbushjes së standardeve të konservimit të Evropës, me vetëm 3% të territorit të saj nën mbrojtje formale, krahasuar me objektivin e BE-së prej 30%.
“Po punojmë për mbrojtje më të gjerë të lumenjve dhe praktika më të mira menaxhimi, por sfidat janë sistematike,” shpjegon Topić.
Politikat qeveritare vazhdojnë të japin prioritet investimeve private, duke ofruar koncesione minimale për komunitetet lokale dhe duke lënë mënjanë praktikat e qëndrueshme. Për Topić, fuqizimi i qytetarëve është thelbësor.
“Komunitetet duhet të bëhen kujdestarë të lumenjve të tyre. Është e vetmja mënyrë për të ruajtur trashëgiminë tonë natyrore dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme,” përfundon ai.
Lumenjtë e Shqipërisë, në mënyrë të ngjashme, përballen me të njëjtat kërcënime. Ajo që nisi si një lëvizje për të ruajtur Vjosën si një prej lumenjve të fundit të egër në Europë, u shndërrua në një betejë për të gjithë rrjetin hidrogragjik të Ballkanit.
“E gjithë përpjekja ishte pjesë e një fushate më të gjerë të nisur nga EuroNatur dhe Riverwatch,” shpjegon hidrologu Olsi Nika. “Studimet trevjeçare treguan se Ballkani është i fundit që ruan lumenj të egër në Europë, dhe Vjosa si lumi më i madh i këtij lloji, kishte rëndësi jetike.
“Në vitet e para, fushata u fokusua kryesisht në studime shkencore për vlerat hidromorfologjike të lumenjve. Në 2014, prezantuam vizionin për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar,” tregon përfaqësuesja e organizatës “Eco Albania” Besjana Guri.
“Ishim në një periudhë kur qeverisja lokale kishte më shumë kompetenca dhe kontratat për hidrocentralet si ai i Kalivaçit ishin ende aktive. Ishte një sfidë e madhe të bindnim aktorët lokalë për këtë ide.”
Olsi shpjegon sfidën fillestare për të tërhequr vëmendjen e mediave. “Nuk kishte asnjë informacion për vlerat e Vjosës apo kërcënimet që i kanoseshin. Për këtë arsye ftuam media të huaja që të ekspozonin bukuritë dhe vlerat e biodiversitetit të lumit.”
Kjo strategji funksionoi: Vjosa u bë temë diskutimi në media ndërkombëtare dhe më pas edhe në ato shqiptare.
“Lobimi ishte një tjetër metodë që përdorëm si pjesë e strategjisë sonë për të siguruar mbrojtjen afatgjatë të Vjosës. Ne kemi lobuar vazhdimisht pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe institucioneve të tjera të BE-së, duke përfshirë Parlamentin Evropian dhe Komisionin Evropian. Ata na ndihmuan të kërkonim nga qeveria shqiptare të rishikonte planet e saj për ndërtimin e hidrocentraleve,” tregon Olsi.
Por në vitin 2015, pavarësisht premtimeve parazgjedhore për të mos ndërtuar hidrocentrale, qeveria miratoi ndërtimin e hidrocentralit të Poҫemit, duke shtuar presionin mbi mbrojtësit e lumit. Protestat, edhe pse të shumta, nuk patën efektin e pritur. Megjithatë, mbështetja e banorëve të fshatit Kutë, veçanërisht përmes një padie në Gjykatën Administrative, çoi në anulimin e kontratës.
Pas fitores së parë, Besjana tregon se “Rock Rossman, një biolog nga Sllovenia, pati idenë për të mbledhur firma nga e gjithë Ballkani dhe për t’i përdorur ato në një peticion që ia dërguam kryeministrit Edi Rama gjatë protestave.”
Fushata gjithashtu fitoi një shtysë të madhe në vitin 2019 kur aktori Leonardo DiCaprio postoi një mesazh për mbrojtjen e Vjosës në rrjetet sociale, duke rritur ndërgjegjësimin ndërkombëtar për çështjen.
Në vitin 2023, Vjosa u shpall Park Kombëtar, një arritje historike që solli një perspektivë të re për mbrojtjen e natyrës. “Tani kemi një model që fokusohet jo vetëm në mbrojtjen e një pjese, por të të gjithë ekosistemit,” thotë Olsi.
Mbrojtja përfshin 400 kilometra rrjedhje të lirë të lumit Vjosa dhe degëve të tij, diçka që nuk është parë më parë as në Shqipëri, as në Europë. Megjithatë, shpallja si Park Kombëtar nuk është një antidot ndaj të gjitha kërcënimeve.
“Ligji i ri për zonat e mbrojtura krijon hapësira për zhvillime që mund të dëmtojnë parkun,” paralajmëron Olsi.
Resortet turistike dhe projektet infrastrukturore, edhe pse nuk prekin zonën qendrore, lënë gjurmë të pakthyeshme. Sot, Vjosa përballet me sfida të reja. “Ka presione nga zhvillimi urban, turizmi masiv, mosmenaxhimi i mbetjeve dhe industria përpunuese,” thekson Olsi.
Marrja e ujit për qëllime industriale është një tjetër rrezik i madh. “Nuk mund të merret gjysma e ujit dhe toka të përmbytet,” paralajmëron Besjana, duke theksuar nevojën për një menaxhim të qëndrueshëm.
Pavarësisht sfidave, Vjosa mbetet një model frymëzimi për rajonin. “Mbrojtja e parkut dhe zhvillimi i qëndrueshëm përreth tij, me fokus në ekoturizëm dhe bujqësi të qëndrueshme, janë çelësi për të ardhmen,” përfundon Olsi.
Vjosa nuk është vetëm një lum; është simbol i një mendësie të re për të jetuar në harmoni me natyrën.
KUNDRIMI I ZOGJVE, E ARDHMJA E NJË TURIZMI BASHKË ME ZGJIDHJEN
Rruga e pluhurt që të ҫon pranë liqenit artificial të Bosckos në qytetin e Livnos në Bosnjë dhe Hercegovinë, e ruan me fanatizëm panoramën që fshihet buzë kallamishteve.
Por mjafton një vëzhgim i shkurtër me dylbi për të zbuluar një tufë me shpendë uji që pluskojnë natyrshëm mbi sipërfaqe, ndërsa përreth nuk dëgjohet gjë tjetër veҫse përplasjes së lehtë së krahëve të tyre dhe cicërimave kaotike që zhurmojnë mes kodrave e maleve.
Ante Perkovicc, mësues i biologjisë rrëfen se në fushën e Livanjsko Polje gjallon një varietet i larmishëm zogjsh, duke filluar nga rosat e duke përfunduar deri tek shqiponjat.
“Këtu kemi shumë rosa, shumë shpendë bregdetarë. Kemi disa lloje lejlekësh, shqiponjash dhe bufash. Me speciet e fundit të vëzhguara këtu, kemi një total prej 280 lloje shpendësh”, rrëfen ai.
Kjo shifër i jep edhe një rëndësi të padiskutueshme zonës, pasi në total në të gjithë Bosnjën janë 351 lloje shpendësh, pjesa më e madhe të cilëve ndodhen në këtë fushë. Pak minuta para intervistës, Ante arriti të fiksonte në aparatin e tij, edhe një vizitor të papritur për të cilin shpjegon se është “një shqiponjë me bisht të bardhë. Është shqiponja më e madhe në Evropë. Shqiponja me bisht të bardhë ka një gjatësi totale që varion nga 66 deri në 94 cm, me një hapje tipike të krahëve nga 1.78 deri në 2.45 metra. Në Bosnje dhe Hercegovinë kemi vetëm tetë çifte folezuese, dhe një prej tyre ndodhet në Livanjsko Polje.”
Në shtimin e numrit të llojeve të shpendëve, Ante thotë se kanë ndikuar edhe ndryshimet klimatike. Luhatjet drastike të temperaturave, por edhe spostimi i panatyrshëm i periudhave stinore, kanë sjellë prezencën e zogjve mesdhetarë në zonë, specie të cilat 20 vite më parë nuk kishin fluturuar kurrë në këtë habitat.
Në këto kushte, disa specie të caktuara kanë ndryshuar modelet e foleve të tyre apo mënyrën sesi migrojnë. Por ndryshimet klimatike, nuk janë e vetmja sfidë për biodiversitetin në Livno. Ante flet për tre kërcënime kryesore.
“Gjuetia e paligjshme, mbeturinat dhe zjarret. Ka shumë mbeturina dhe plehra të shpërndara nëpër fusha, gjë që është e dëmshme për mjedisin. Gjithashtu, zjarret – njerëzit i ndezin qëllimisht, duke menduar se do të krijojnë toka të reja për bujqësi, por në fakt sjellin vetëm karbon dhe dëme.”
Sipas organizatës ndërkombëtare të ruajtjes së natyrës “Euronatur” ndër teknikat më të përhapura aktualisht mes gjuetarëve të paligjshëm në Ballkan, është ajo e vendosjes së magnetofonëve imitues zanorë në livadhe dhe fusha gjatë natës për të tërhequr tufat e shpendëve. Këta të fundit mashtrohen nga thirrjet joshëse duke u grumbulluar në tufa dhe me zbardhjen e mëngjesit, gjuetarët e paligjshëm vrasin shumë prej tyre duke rrezikuar zhdukjen.
Pikërisht për të shmangur këto dëme, Ante thotë se prej kohësh komuniteti i Livnos kërkon nga qeveria që kjo zonë specifike të mbrohet me ligj. Kjo sipas tij, do të shërbente edhe për të tërhequr më shumë vizitorë që duan të vëzhgojnë shpendët, një lloj i ri turizmi që po përqafohet në vitet e fundit në Ballkan.
“E veçanta në këtë rast është se kjo lloj oferte turistike shoqërohet me mbrojtjen e detyrueshme të vetë burimeve mbi të cilat është zhvilluar. Prandaj ne kërkojmë me ngulm që e gjithë zona të mbrohet pasime kapacitetet që ka, mund të bëhet shumë më shumë duke siguruar një infrastrukturë adekuate.”
Megjithatë për të parë nëse qeveria apo autoritetet lokale, do të tentojnë t’i japin zonës një status të ri ligjor që do të mbronte qindra lloje shpendësh nga rreziku i zhdukjes, do të duhet të pritet deri në 2027, kohë kur mbaron edhe kontrata e koncensionarit që është në fuqi aktualisht.
Deri atëherë, Ante do t’i përkushtohet vëzhgimit të shpendëve, duke sjellë në këto vise njerëz nga e gjithë bota, që në pak orë mund të zbërthejnë hijeshitë e fushës së Livanjsko Polje.
Përpos specieve në Bosnjë-Hercegovinë, gjuetarët e paligjshëm po dëmtojnë tufat e shpendëve edhe në Shqipëri. Trendi migrator i njohur si “Rruga e migrimit e Adriatikut” i cili kalon nëpër disa vende të rajonit përfshirë këtu Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë, rrezikon të humbasë trajektoren e tij të natyrshme.
“Autoritetet kanë vite që fshihen pas një moratorium që nuk ekziston. Në terren vrasja e shpendëve vazhdon thuajse ҫdo ditë dhe fatkeqsisht askush nuk zbaton asnjë rregullore,” shpjegon Jon Vorpsi, ornitolog në Shqipëri.
Duke qenë se qeveria nuk merr asnjë hap për të krijuar një plan veprimi dhe një ligj të ri, personat që duan të gjuajnë jetën e egër, vijojnë aktivitetin e tyre pa paguar asnjë tarifë për regjistrimin apo vrasjen, ndërsa nuk ushtrojnë as rregullat e etikës së gjuetarit.
Një tjetër shqetësim që kanë nxjerrë në pah observimet, është fakti se për shkak të ndërhyrjeve të pakursyera të njeriut, shumë shpendë shtegtarë po humbasin habitatin e tyre.
Joni thotë se “Ndërtimet e paligjshme dhe pa planifikim që janë bërë në të gjithë Shqipërinë në 30 vitet e fundit, përvecc zonave që janë të rëndësishme për jetën e egër dhe për shpendët, kanë prekur edhe zonat e mbrojtura.”
Ai shton se një tjetër hap i qeverisë, i bën habitatet e shpëndëve, edhe më vulnerabël. “Ligji për zonat e mbrojtura ka ndryshuar. Dhe ajo që deri dje bëhej në paligjshmëri dhe pritshmëria ishte që të ndalohej nga autoritetet, tashmë lejohet me ligj dhe pritet një shkatërrim i mëtejshëm i habitateve të egra.”, përfundon ai.
Rasti më flagrant është ai i ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, një projekt që e nisi punën duke e fshehur faktin se do të ngrihej në një zonë të mbrojtur dhe për të cilin ende vijon puna, edhe pse ekspertët vlerësojnë se vë në rrezik habitatet e mijëra shpendëve që ulen dhe ngrihen në korridorin ekologjik mes Lagunës së Nartës dhe Lagunës së Karavastasë. Për Jonin ndërtimi i aeroportit të Vlorës ishte fillimi i fundit të zonave të mbrojtura, ndërsa në fokus të qeverisë janë vendosur të gjitha lagunat bregdetare, pa kursyer ato që ndodhen brenda zonave të mbrojtura.
Sipas PPNEA, aeroporti ka thuajse të mbaruar 60% të punimeve dhe i ka marrë një sipërfaqe të konsiderueshme ekosistemit.
Bëhet fjalë pikërisht për atë pjesë të zonës së mbrojtur, pra ajo tokë që përdorej për folezim, për ushqim dhe ku shpendë të ndryshëm plotësonin nevojat e tyre ekologjike.
“Duke qenë se aeroporti do të shtojë dritat dhe zhurmën e avionëve, do të trazojë kontrollin e habitatit të shpendëve. Do përdoren praktika për largimin e zogjve, të cilat janë të ndaluara në ligjin e zonave të mbrojtura. Që ai aeroport të funksionojë, nuk duhet të funksionojë natyra.”
Aeroporti rrezikon të gjithë ata shpendë që shtegtojnë nga Afrika drejt Shqipërisë, pasi kalon nëpër korridorin e shtegtimit. Ekspertët e mjedisit, pretendojnë se ekziston edhe mundësia fatkeqe për një tragjedi njerëzore, pasi një pjesë e shpendëve janë të përmasave të mëdha dhe mund të ndodhë që të përplasen me avionët.
Pavarësisht përpjekjeve dhe udhëzimeve të qarta të Konventës së Bernës, qeveria shqiptare refuzon të ndalojë punimet. Joni shpjegon se organizata e PPNEA e ka kaluar luftën edhe në një front tjetër, atë ligjor.
“Dy padi janë ngritur në Gjykatë, një e cila këkron anulimin e kontratës koncensionare për Aeroportin e Vlorës dhe një tjetër padi që sulmon ndryshimin e kufijve të zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë. Megjithatë Gjykata e ka refuzuar padinë në Shkallën e Parë dhe prej kohësh ndodhet në Shkallën e Lartë, në pritje të marrjes në shqyrtim.”
Vetë PPNEA, qartëson se objekti i Aeroportit të Vlorës, mund të arrihet në forma të tjera, pa qenë nevoja për të ndërtuar një infrastrukturë të re pranë Luginës/brenda zonës së mbrojtur por duke rritur kapacitetet në Aeroportin e Rinasit, pra atë në Tiranë.
Ndonëse situata nuk paraqitet ideale, në zonë nuk mungojnë vizitorët që presin me durim të shijojnë spektaklin që dhurojnë shpendët shumëngjyrësh. Një interes gjithnjë e në rritje, të cilit parajsa natyrore e Nartës i qëndron në mënyrë perfekte.
Megjithatë, Joni thotë se pavarësisht interesit gjithnjë e në rritje, zonat e mbrojtura në Shqipëri janë ende në përpjekje e sipër për të siguruar një mekanizëm që do t’ua sillte këto të ardhura objektivave të tyre.
E ndërsa pretendimi i grykësisë qeveritare se ndërtimet në zona me kapital optimist natyror, do të cc’rrënjosë varfërinë në zonë, nuk gjen dakordësi nga ekspertët në mbrojtje të natyrës, beteja për të ruajtur bukuritë dhe biodiversitetin e pasur të Lagunës Vjosë-Nartë vijon.
KUAJT E EGËR: NJË AVENTURË MES NATYRËS DHE TURIZMIT MIQËSOR
12 vite më parë, një fotograf me pasion për natyrën zbuloi një thesar të fshehur në Livno, Bosnjë-Hercegovinë – kuajt e egër. Ajo që filloi si një kërkim për imazhe të bukura, u shndërrua në një rrugëtim të jashtëzakonshëm, duke kombinuar artin, natyrën dhe turizmin.
Në fillim, Mamuza kalonte kohë duke fotografuar tufat e kuajve dhe shijonte qetësinë e hapësirave të gjera malore. “Shumë njerëz më pyesnin nëse ato pamje ishin reale,” tregon ai. “Kur e shikon për herë të parë, duket sikur është një skenë ëndrrash, e largët nga realiteti.”
Dëshira për të ndarë këtë përvojë me të tjerët e shtyu të ftonte miq për të parë kuajt dhe, më pas, të krijonte një biznes turistik që promovon këtë pasuri natyrore. Sot, vizitorët vijnë nga e gjithë bota për të përjetuar këtë aventurë unike.
Turi fillon në zyrën qendrore, ku vizitorët hipin në automjete off-road për një udhëtim 30-minutësh drejt pllajës, në një lartësi prej 1,600 metrash mbi nivelin e detit. Pasi mbërrijnë, kërkimi i kuajve nis mes peizazheve spektakolare.
“Unë gjithmonë u sugjeroj të gjithë vizitorëve të qëndrojnë pesë minuta në heshtje,” shpjegon Mamuza. “Pa telefona, pa fotografi, vetëm për të ndjerë natyrën dhe për të kuptuar çfarë do të thotë të jesh pjesë e saj.”
Pas këtij momenti të veçantë, turi vazhdon me piknik në natyrë dhe vizita në pika panoramike. Mamuza shpjegon se në vitet ‘70 dhe ‘80, kur traktorët zëvendësuan kuajt për punët e fshatit, shumë pronarë vendosën t’i linin kuajt të lirë në natyrë.
Ata zgjodhën këtë zonë për shkak të hapësirës së hapur, ku kuajt mund të shohin lehtësisht për shkak të formës së terrenit, por edhe të nuhasin grabitqarët si ujqërit.
Aktualisht, rreth 1,000 kuaj jetojnë në këtë zonë, duke formuar një nga tufat më të mëdha të kuajve të egër në rajon. Megjithatë, sfida më e madhe mbetet mungesa e ujit gjatë verës, për shkak të thatësirave të gjata që shkaktohen nga ndryshimet klimatike.
Turizmi ka ndikuar ndjeshëm në ekonominë lokale. Shumë shtëpi të braktisura janë shndërruar në bujtina, ndërsa bizneset e vogla po lulëzojnë falë produkteve lokale që shiten në resorte dhe piknikët turistikë.
Për më tepër, të ardhurat nga turizmi po i ndihmojnë banorët të qëndrojnë në fshat, duke parandaluar një nga sfidat më të forta të kohës, emigrimin. Për të siguruar qëndrueshmërinë e zonës, operatorët turistikë po bëjnë presion mbi qeverinë për të mbrojtur këtë rajon të jashtëzakonshëm.
“Natyrën dhe kuajt e kemi bazën tonë. Pa to, turizmi këtu nuk do të ekzistonte. Ndaj ne po përpiqemi shumë fort, që të detyrojmë autoritetet të bëjnë punën e tyre. Ndryshe asnjë gjë nuk do të funksiononte” thekson Mamuza.
Ky model i harmonizuar i turizmit dhe ruajtjes së natyrës është përqafuar edhe në Shqipëri. Në Veri të vendit, në qytetin e Kukësit, gjendet Shtegu i Ngjyrave, një ndër destinacionet më të promovuara dhe të vizituara, sidomos në vitet e fundit.
Ky itinerar malor, që shtrihet midis dy fshatrave kufitarë – Shishtavecit në kufi me Kosovën dhe Çajës pranë Maqedonisë së Veriut – ofron një përvojë unike për vizitorët. Me një gjatësi prej 13 kilometrash, ky shteg është i përshtatshëm si për ture familjare, ashtu edhe për sporte si “mountain biking”.
Ermal Hallaci, gazetar dhe tur operator në zonë, i cili është kujdesur që në krye te herës për suksesin e këtij destinacioni, shpjegon se “një ndër karakteristikat më të veçanta të Shtegut të Ngjyrave janë lulet shumëngjyrëshe dhe peizazhet mahnitëse alpine që shtrihen pranë kufirit të tre shteteve.”
Ai thotë se “Stina e pranverës është periudha më e bukur për ta vizituar, kur livadhet mbushen me ngjyra dhe qielli i hapur ofron pamje të mrekullueshme.”
Por ajo që tërheq më shumë vizitorët janë tufat e kuajve që enden të lirë në këto hapësira. Ermali rrëfen se fshati Çajë është epiqendra e këtij fenomeni, duke qenë ndër zonat me numrin më të lartë të kuajve në Shqipërinë e Veriut.
“Vetëm një banor, Kujtim Ivani, ka mbi 20 kuaj të cilët i lë të lirë në malet përreth. Në total, në këtë zonë ndodhen mbi 50 kuaj, që jetojnë në harmoni me natyrën dhe kontribuojnë në përvojën e vizitorëve.”
Tufat e kuajve janë miqësorë dhe shpesh krijojnë skena spektakolare për vizitorët, duke vrapuar në lëndina të hapura. Pamje të këtyre momenteve janë bërë virale në rrjetet sociale, duke sjellë edhe më shumë turistë vendas dhe të huaj në këtë destinacion.
Por situata nuk do të jetë përjetë shumëngjyrëshe. Ermali pohon se pavarësisht promovimit të gjerë, Shtegu i Ngjyrave ka ende nevojë për investime dhe mbrojtje, për të krijuar traditën e një destinacioni të qëndrueshëm turistik. Ai thekson rëndësinë e ndalimit të automjeteve “off-road” dhe motoçikletave, të cilat mund të dëmtojnë biodiversitetin.
Ermal Hallaci
Po ashtu, sinjalistika dhe tabela informuese kërkojnë përmirësime për të ofruar një përvojë më të mirë për vizitorët. Krahas kësaj, vetë Ermali ka sugjeruar shpeshherë te autoritetet lokale marrjen e iniciativave si ndërtimi i shtigjeve të reja që lidhin Shtegun e Ngjyrave me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, por dhe mbështetja e banorëve lokalë për të kthyer shtëpitë e tyre në bujtina.
Potenciali ekonomik i këtij shtegu është i jashtëzakonshëm tregon Ermali. “Shtegu i Ngjyrave ka ndikuar pozitivisht në ekonominë lokale, duke rritur numrin e turistëve që konsumojnë në bare, restorante dhe taksi lokale. Për më tepër, bujtinat në Shishtavec dhe Çajë janë zgjeruar për të përmbushur kërkesën e vizitorëve.”
Në të ardhmen, plani për ta kthyer këtë zonë në një park natyror të menaxhuar, ku kuajt do të përdoren për ture të organizuara dhe natyra do të mbrohet me rigorozitet, është një hap drejt zhvillimit të qëndrueshëm.
Për banorët lokalë dhe vizitorët, kjo do të thotë jo vetëm një përvojë unike turistike, por edhe një trashëgimi që i reziston kohës.