zoom

Aktualitet

Bie nga kati i 5-të i pallatit te Rruga e Kavajës, humb jetën 31-vjeçari

Një 31-vjeçar ka humbur jetën në Tiranë. Policia njofton se i riu është gjetur i shtrirë në Rrugën e Kavajës, përballë qendrës shëndetësore të kësaj zone.

“Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, në Rrugën e Kavajës, përballë qendrës shëndetësore, është gjetur i shtrirë në sheshpushimin e një pallati, shtetasi M. Rr., 31 vjeç, banues në rrugën ‘Myslym Keta’”, bën me dije policia.

Më tej Uniformat Blu sqarojnë se nga hetimet është zbuluar se 31-vjeçari ka rënë nga kati i pestë i një pallati, duke përfunduar në sheshpushimin e tij.

“Menjëherë me marrjen e njoftimit është formuar një grup i posaçëm hetimor i cili ka shkuar në vendngjarje dhe nga kryerja e veprimeve hetimore, dyshohet se 31-vjeçari ka rënë nga kati i pestë i pallatit”, sqarojnë autoritetet.

Pasi është konstatuar i shtrirë, ai është transportuar në spital, por si pasojë e dëmtimeve ka ndërruar jetë.

Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor po vazhdon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.