zoom

Bota

Biden: SHBA do t’i jap fund misionit luftarak në Irak

Brenda disa muajve, forcat amerikane në Irak do të përfundojnë misionin e tyre luftarak atje, njoftoi Presidenti Joe Biden të hënën gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Kryeministrin irakian Mustafa al-Kadhimi.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në Zyrën Ovale, Presidenti Biden, në praninë e udhëheqësit irakian, tha se roli i ri i trupave amerikane në Irak do të jetë “vazhdimi i trajnimit të forcave irakiane dhe ofrimit të ndihmës në përpjekjet kundër ISIS-it (Shtetit Islamik) kur të jetë e nevojshme, por në fund të vitit, ne nuk do të jemi më në një mision luftarak (në Irak)”.

Zoti Biden nuk pranoi të saktësonte numrin e trupave amerikane që do të mbeteshin në Irak. Aktualisht, në Irak ndodhen afërsisht 2,500 ushtarë ameirkanë.

“Ky është një ndryshim i misionit. Nuk është një tërheqje nga partneriteti ynë, e pranisë sonë atje, ose e angazhimit tonë të ngushtë me udhëheqësit irakianë”, tha për gazetarët zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki pak para takimit Biden- al-Kadhimi në Zyrën Ovale.

Trupat amerikane në Irak “janë të afta të bëjnë shumë gjëra”, u tha gazetarëve Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin në Alaskë të shtunën.

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse ai do t’i klasifikonte trupat amerikane që aktualisht ndodhen në Irak si një forcë luftarake apo kryesisht të përkushtuar në stërvitjen dhe këshillimin e ushtrisë irakiane, zoti Austin u përgjigj: “Unë mendoj se përpjekja për ta bërë atë dallim është shumë e vështirë. Por unë do të thoja se gjëja më e rëndësishme do të jetë objektivi dhe detyra që do të na jepet në çdo kohë të caktuar”.

Theksi, thonë zyrtarët, do të mbetet shmangia e përsëritjes së ngjarjeve që shtatë viteve më parë, kur Shteti Islamik pushtoi Mosulin dhe dhjetëra mijëra luftëtarë të huaj vërshuan në Irak dhe Sirinë fqinje. Forcat e qeverisë Irakiane pothuaj u mposhtën në atë periudhë dhe dhjetëra sulme vetëvrasëse ndodhnin çdo muaj.

“Siç e kemi thënë që nga fillimi, askush nuk do të deklarojë se ‘misioni është arritur me sukses””, u tha një zyrtar i lartë amerikan gazetarëve në prag të vizitës së kryeministrit irakian. “Qëllimi është mposhtja e përhershme e ISIS-it. Ne e pranojmë që duhet të vazhdojmë trysninë mbi këto rrjete ndërsa ato kërkojnë të rimëkëmben, por roli i forcave amerikane dhe forcave të koalicionit mund të zvogëlohet, duke rënë në atë që kemi tani në terren, përfshirë trajnimin, këshillimi, shkëmbimin e informacioneve të zbulimit, ndihmën logjistike. Dhe tani ne jemi në këtë pikë”.

Shtetet e Bashkuara dhe Iraku ranë dakord në prill për të ndryshuar misionin e trupave amerikane, i cili kishte filluar në 2015 dhe u përqëndrua në trajnimin dhe rolin këshillues në ndihmë të forcave irakiane të sigurisë, por nuk kishte një afat kohor për përfundimin e tranzicionit.

Ministri i Jashtëm irakian Fuad Hussein i tha Shërbimit Kurd të Zërit të Amerikës javën e kaluar se ai priste që të dyja palët të bien dakord mbi përfundimin e misionit luftarak të Shteteve të Bashkuara në Irak. “Ky është një ndryshim kryesisht simbolik i rolit që administrata Biden dëshiron që ushtria amerikane të luajë në luftën kundër terrorizmit: mbështetja e partnerëve përmes trajnimit dhe formave të tjera të ndihmës ndërsa ata marrin përgjegjësinë e udhëheqjes së operacioneve kundër terrorizmit”, i tha Zërit të Amerikës Katherine Zimmerman, eksperte e Institutit “American Enterprise”. “Megjithatë, qasja mbështetet shumë tek angazhimi i mirë i partnerëve të Amerikës. Ata duhet të vazhdojnë t’i japin përparësi anti-terrorizmit dhe të mos veprojnë në një mënyrë që mund të rëndojë më tej problemin.”

Takimi i së hënës në Shtëpinë e Bardhë ndodh mes sulmeve të vazhdueshme kundër pozicioneve ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Irak, për të cilat Uashingtoni ka fajësuar grupet e armatosure të lidhura me Iranin.

Më 24 korrik, një komandant i milicisë pro-iraniane lëshoi një deklaratë, përmes së cilës kërcënonte të sulmonte forcat amerikane brenda vendit dhe bënte thirrje për tërheqjen e trupave amerikane. Një sulm me dron goditi të shtunën një bazë ushtarake në rajonin kurd të Irakut, në të cilën ndodhen ushtarë amerikanë.

Sulmet në Bagdad në janar dhe prill të këtij viti theksojnë “aftësinë e Shtetit Islamik përballë presionit të madh nga autoritetet irakiane”, thuhet në një raport të OKB-së të publikuar të premten që parashikonte se grupi “do të vazhdojë t’i japë përparësi konsolidimit dhe rishfaqjes në zona kryesore, i inkurajuar nga vështirësitë politike që pengojnë stabilizimin dhe rimëkëmbjen” në Irak dhe Siri.

Prania e trupave amerikane është një çështje polarizuese në Irak, ku disa grupe theksojnë nevojën e mbështetjes ushtarake amerikane për ushtrinë e Irakut dhe grupime të tjera, duke përfshirë fraksione politike të lidhura me Iranin, që kërkojnë largimin e trupave amerikane nga vendi.

“Nuk ka dyshim që administrata e Presidentit Biden po përfiton nga pikëpamja se kjo është një luftë e pafund”, tha për Zërin e Amerikës analisti Behnam Ben Taleblu nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive me bazë në Uashington. “Megjithatë, këto konflikte nuk lindën nga boshëllëqet shoqërore ose politike, dhe dhuna dhe kërcënimet ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara që burojnë nga këto teatro dhe aktorët brenda tyre nuk do të përfundojnë me një tërheqje të njëanshme ose reduktim të trupave.”

Zoti Taleblu paralajmëroi më tej se Irani do ta priste me gëzim një njoftim për reduktim të trupave amerikane në Irak, duke thënë se kjo do të “ndihmonte në mbështetjen e këndvështrimit iranian se Amerika mund të detyrohet të largohet nga rajoni dhe se përpjekjet kundër politikës revolucionare të Republikës Islamike në rajon janë të kota”./ VOA