zoom

Bota

Biden: E turpshme dhuna ndaj haitianëve, kush e bëri do paguajë

Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi të premten se do të ketë pasoja për ata agjentë të policisë kufitare që keqtrajtuan emigrantët haitianë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.

Në një deklaratë për mediat, Biden tha se ngjarjet e verifikuara, me agjentët që rrihnin me kamxhik emigrantët, përbënin një turp për mbarë vendin.

Biden shtoi se ai ka përgjegjësinë e tij për situatën në kufirin e Teksasit me Meksikën, ku një fluks prej disa mijëra haitianësh janë strehuar në përpjekje për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

“Sigurisht që mbaj përgjegjësi. Jam presidenti. Ajo që pamë ishte e tmerrshme. Të shohësh njerëzit të trajtohen ashtu, të shtypur nga kuajt dhe të rrahur me kamxhik është mizore dhe fyese. Ju premtoj se këta njerëz do ta paguajnë. Mbi çështjen është hapur një hetim dhe do të ketë pasoja”, u shpreh Joe Biden.

Reagimi i Biden vjen pasi sekretari amerikan për sigurinë e Brendshme, Alejandro Mayorkas nisi një hetim mbi çështjen.

Por pavarësisht zemërimit të shkaktuar nga veprimet e agjentëve të kufirit, mbi Biden po rritet gjithashtu presioni për të forcuar kufijtë.

Ndërkohë, autoritetet në Meksikë po u bëjnë thirrje haitianëve që të heqin dorë nga përpjekjet e tyre dhe të kthehen në kufirin mes Meksikës dhe Guatemalës për të kërkuar azil. /Euronews